Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, tha se ushtria do të urdhërojë palestinezët të evakuojnë pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar në veri, në mes të një inkursioni të madh ushtarak që vazhdon në zonë, transmeton Anadolu.
Ushtria izraelite kishte nisur më herët bastisje të madhe në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, duke përfshirë qytetet Jenin, Tulkarem dhe Tubas, duke vrarë 11 palestinezë deri më tani.
Në një deklaratë për X, ministri Katz tha se ushtria e vendit po angazhohej në Jenin dhe Tulkarem për të penguar atë që ai e quajti “infrastruktura terroriste kundër Izraelit në Bregun Perëndimor”.
Ai shtoi se operacioni i ushtrisë përfshin “evakuimin e përkohshëm të banorëve palestinezë” në zonat në pjesën veriore të Bregun Perëndimor, masa të ngjashme me ato që ushtria izraelite ka marrë në Rripin e Gazës.
Në vazhdën e sulmit shkatërrues të ushtrisë izraelite kundër Rripit të Gazës, qindra mijëra palestinezë janë zhvendosur nga shtëpitë dhe zonat e tyre nën urdhrat e evakuimit nga ushtria izraelite.
Gjatë viteve të fundit, forcat izraelite kanë kryer bastisje të rregullta në Bregun Perëndimor, të cilat janë përshkallëzuar që nga fillimi i luftës në Gaza tetorin e kaluar.
Palestinezët në Bregun Perëndimor gjithashtu kanë qenë në shënjestër të sulmeve të dhunshme nga kolonët e paligjshëm izraelitë.