Izraeli ka vendosur të sulmojë Iranin pas sulmit raketor të javës së kaluar në Tel Aviv, transmeton Anadolu.
Transmetuesi izraelit ‘Channel 12’ tha se “diskutimet mbi metodën dhe kohën e sulmit ende janë në vazhdim”.
Sipas medias izraelite, objektivat e mundshëm në sulmin e planifikuar mund të përfshijnë objektet kritike të naftës dhe gazit, kompleksin presidencial, selinë e liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, si dhe selinë e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran.
“Diskutimet brenda institucionit të sigurisë së Izraelit janë fokusuar në koordinimin e kohës dhe metodës më të mirë për nisjen e sulmit”, tha kanali izraelit.
Irani lëshoi të paktën 180 raketa balistike mbi Izraelin më 1 tetor si hakmarrje për vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Haniyeh u vra në një sulm në Teheran korrikun e kaluar, ndërsa Nasrallah u vra në një sulm ajror izraelit në kryeqytetin libanez Bejrut muajin e kaluar.
Përshkallëzimi erdhi mes sulmeve masive ajrore izraelite në Liban që kanë vrarë të paktën 1.180 njerëz që nga 23 shtatori.
Fushata ajrore ishte një përshkallëzim i konfliktit 1-vjeçar midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës brutale të Tel Avivit ndaj Rripin e Gazës ku ka vrarë të paktën 41.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Të paktën 2.036 njerëz janë vrarë që atëherë në Liban, mbi 9.600 janë plagosur dhe rreth 1.2 milionë të tjerë janë zhvendosur.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.