Izraeli i ka kërkuar Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) të lirojë zyrat e saj në Kudsin Lindor të pushtuar, me arsyetimin se “ka shkelur kushtet e qirasë”, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit në “The Times of Israel”, Autoriteti tokësor i Izraelit i dërgoi letër UNRWA-së duke i kërkuar që të evakuojë zyrat e saj në Kudsin Lindor të pushtuar nga Izraeli brenda 30 ditëve për “shkelje të kushteve të qirasë”.
Letra në fjalë është dërguar pas vendimit të ministrit izraelit të Strehimit, Yitzhak Goldknopf për të evakuuar agjencinë e OKB-së, me pretendimin se ajo ndodhet në “tokë shtetërore”.
Thuhet se agjencia e OKB-së, e cila ndodhet në territoret e pushtuara të Izraelit, duhet të paguajë një borxh prej 7.3 milionë dollarësh, me pretendimin se “operoi pa leje në territorin izraelit” në 7 vitet e fundit.
– UNRWA, e cila ofron ndihmë për miliona palestinezë, është në shënjestër të Izraelit
Qeveria izraelite filloi fushatë shpifjeje kundër UNRWA-së njëkohësisht me fillimin e sulmeve të saj në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023 dhe argumentoi se Agjencia duhet të mbyllet, duke pretenduar se 14 punonjës të UNRWA-së, e cila ka 12 mijë punonjës vetëm në Gaza, “ka marrë pjesë në sulmet e 7 tetorit”.
Qeveria e Tel Avivit bëri fushatë për mbylljen e Agjencisë, e cila mbështet refugjatët palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, Kudsin Lindor, Liban dhe Jordani, dhe ka 30 mijë punonjës, kryesisht palestinezë, në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve sociale.
Rreth 10 vende dhe institucione, përfshirë SHBA-në, njoftuan se kishin ngrirë donacionet e tyre për UNRWA-në.
Pasi Izraeli nuk mundi të dëshmonte akuzat e tij kundër UNRWA-së, Australia, Kanadaja, Suedia dhe Bashkimi Evropian (BE) anuluan vendimet e tyre dhe njoftuan se do të vazhdojnë të financojnë Agjencinë.
Kongresi amerikan miratoi projektligjin e përkohshëm të buxhetit ku miratoi ndihmën e re ushtarake për Izraelin dhe ndaloi deri në mars 2025 financimin e UNRWA-së, udhëheqëse në ndihmën humanitare për Gazën.