Të huajt duhet të tregojnë në ministrinë izraelite të Mbrojtjes nëse bien në dashuri me ndonjë palestinez në zonën e okupuar të Bregut Perëndimor, sipas rregullave të reja.
Ndërkaq, nëse martohen, do t’u kërkohet të largohen pas 27 muajsh, raportoi BBC të shtunën.
Rregulli i ri është pjesë e shtrëngimit të masave për të huajt që jetojnë në Izrael, ose që duan ta vizitojnë Bregun Perëndimor. Ato pritet të hyjnë në fuqi të hënën e ardhshme.
Rregulloret e paraqitura në një dokument të gjatë, përfshijnë një kërkesë për të huajt që të informojnë autoritetet izraelite brenda 30 ditëve nga fillimi i një marrëdhënieje me një person që ka identitet palestinez.
Kufizimet e reja për universitetet palestineze përfshijnë një kuotë për 150 viza studentore dhe 100 pedagogë të huaj, ndërsa në ato izraelite nuk ka kufizime të tilla.
Biznesmenët dhe organizatat e ndihmës thonë se edhe ata do të preken rëndë. Rregullat vendosin kufizime të rrepta për kohëzgjatjen e vizave, në shumë raste duke i penguar njerëzit të punojnë vullnetarë në Bregun Perëndimor për më shumë se disa muaj.
Rregullat e reja nuk zbatohen për ata që vizitojnë Izraelin, si dhe pjesët e kontrolluara nga palestinezët të Bregut Perëndimor, e as vendbanimet hebraike.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor nga Jordania në Luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.
Cogat, një njësi e ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, është përgjegjëse për administrimin e pushtimit të territorit palestinez. /koha