Dhjetëra palestinezë u vranë ose u plagosën në sulmet që ushtria izraelite zhvilloi gjatë natës në Rripin e Gazës të cilin e mban nën pushtim dhe bllokadë, transmeton Anadolu.
Edhe në ditën e 128-të, forcat izraelite kanë vazhduar sulmet e ashpra në Rripin e Gazës në të cilën kanë shkaktuar katastrofë humanitare duke e detyruar popullatën të qëndrojnë në uri dhe pa ujë.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, forcat izraelite gjatë natës kryen sulme intensive ajrore dhe tokësore ndaj pikave të ndryshme, kryesisht në Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Gazës dhe në qytetin Rafah në jug.
Në sulme u vranë ose u plagosën dhjetëra palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra. Burimet lokale njoftuan se të paktën 25 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën si pasojë e bombardimit të një shtëpie ku jetonin të zhvendosur në lindje të Rafah.
Po ashtu burimet kanë bërë të ditur se Izraeli që nga dje e deri më sot ka vrarë rreth 42 palestinezë në sulmet që ka kryer ndaj shtëpive dhe automjeteve në qytetin Rafah.
Avionët luftarakë izraelitë mëngjesin e sotëm kanë kryer sulme të ashpra ndaj zonave në jug të Khan Younis dhe ndaj qytetit Deir Al-Balah në pjesën qendrore. Thuhet se ka të vrarë dhe të plagosur si pasojë e bombardimit me artileri të rajoneve në qendrën e Rripit të Gazës.
Në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, përfshirë të paktën 12 mijë fëmijë dhe 8.190 gra janë vrarë 28.064 palestinezë si dhe janë plagosur 67.611 të tjerë.
Nën rrënoja ende ndodhen mijëra palestinezë të vrarë ndërsa po shkatërrohet edhe infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore në të cilat është strehuar popullata.