Izraeli është zotuar se do të ndjekë grupin palestinez Hamas në Rripin e Gazës dhe në mbarë botën, raporton Anadolu.
“Nuk do të ketë qytete të shenjta, as shtëpi të shenjta. Ne do të shkojmë kudo që të kemi nevojë mbi dhe nën tokë për të zhdukur (Hamasin). Në Gaza dhe në mbarë botën”, tha ministri i kabinetit të luftës, Benny Gantz, në një konferencë për media në Tel Aviv.
“Ne do të arrijmë te krerët e qeverisë ashtu siç arritëm në qendrat e qeverisë”, shtoi ai.
Gantz, një ish-ministër i mbrojtjes izraelite, po ashtu kërcënoi me një ofensivë ushtarake kundër grupit libanez Hezbollah në mes të tensioneve në rritje përgjatë kufirit midis Izraelit dhe Libanit.
“Ajo që ne po bëjmë në mënyrë efektive në jug, mund të funksionojë edhe më mirë në veri, nëse është e nevojshme”, tha Gantz.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një ofensivë ndërkufitare nga grupi palestinez i rezistencës Hamas më 7 tetor.
Të paktën 11.320 palestinezë janë vrarë, përfshirë afër 7.800 gra dhe fëmijë, si dhe mbi 29.200 të tjerë janë plagosur.
Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në ofensivën izraelite.
Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është 1.200.