RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Japonia u kërkon të rinjve të martohen

japonia-u-kerkon-te-rinjve-te-martohen

Qeveria japoneze ka filluar të konsultohet me të rinjtë për mosinteresimin e tyre për martesë ndërsa Japonia vazhdon të luftojë me krizën demografike që pritet të rezultojë me rënie të madhe të popullsisë gjatë dekadave të ardhshme, shkruan The Guardian.

Agjencia e Fëmijëve dhe Familjeve, e krijuar në prill të vitit 2023, mbajti takimin e parë të grupit të punës të premten për të mbështetur të rinjtë në përpjekjet e tyre për të gjetur partnerë nëpërmjet takimeve e gjërave të ndryshme. Pjesëmarrësit ishin ata që mendojnë të martohen në të ardhmen dhe ekspertë për sfidat me të cilat përballen të rinjtë.

Qeveria pranoi se idetë për martesën mes të rinjve janë të ndryshme nga ajo që dikur konsiderohej standarde. Qeveria ka kërkuar pikëpamjet e ekspertëve. Më vonë do të marrë qëndrimin e beqarëve.

“Premisa kryesore është që martesa dhe rritja e fëmijëve duhet të bazohen në respektimin e vlerave dhe mënyrave të ndryshme të të menduarit të individëve. Do të ishim mirënjohës nëse do të dëgjonim zërat tuaj të vërtetë – çfarë po mendoni, çfarë po ju pengon të realizoni dëshirat tuaja”, ka thënë në mbledhje Ayuko Kato, ministri i Shtetit për politikat që lidhen me fëmijët.

Rezultatet e një sondazhi të beqarëve, të moshës 25 deri në 34 vjeç, tregonin se 43.3 për qind e burrave dhe 48.1 për qind e grave thanë se nuk kishin mundësi të takonin partnerë të mundshëm në vitin 2021. Shumë thanë se nuk kishin bërë asgjë për të rritur shanset për të pasur partner.

Për shkak se relativisht pak fëmijë lindin nga njerëz të pamartuar në Japoni, rënia e martesës është cituar si arsye e rëndësishme për shkallën e ulët të lindjeve, rënien e popullsisë dhe plakjen e saj. Në vitin 2023, numri i martesave ra nën 500 mijë për herë të parë që nga vitet 1930. Ndërkohë, lindjet ranë me 5.1 për qind në 758.631, rënie rekord dhe pothuajse arrin shifrën 755 mijë, që e kishte parashikuar Instituti Kombëtar i Kërkimeve të Popullsisë për vitin 2035.

Sondazhet kanë treguar se shumë të rinj japonezë hezitojnë të martohen ose të kenë familje për shkak të shqetësimeve për koston e lartë të jetesës në qytetet e mëdha, mungesën e punëve të mira dhe kulturën e punës që e bën të vështirë për të dy partnerët të kenë punë, ose gratë të kthehen në punë me kohë të plotë pasi të kenë fëmijë. /koha

Related posts

Fluksi i pritjeve në pikën kufitare të Merdarës deri në 4 orë

admin

Stoltenberg: Rreziku më i madh do të ishte fitorja e Rusisë në Ukrainë

admin

Mark Rutte merr zyrtarisht detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s

RTI