Besnik Boletini ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës. Siç ka njoftuar në Facebook Boletini, dorëheqja ka ardhur pasi i ka pasur “duart e lidhura”.
Boletini ka njoftuar se dorëheqjen e ka bërë në mbledhjen e së shtunës. Ai është dorëhequr edhe nga pozita e anëtarit të Bordit. Gjithçka e ka ndërlidhur me çështjen e publikimit të një artikulli të paverifikuar nga mediumi publik me akuza ndaj dy portaleve “Periskopi” e “Nacionale”. RTK-ja kishte transmetuar një raport të një mediumi të Bosnje e Hercegovinës duke i akuzuar dy portalet se janë nën kontroll të Milan Radoiçiqit e se kanë marrë miliona nga Serbia. Artikulli pati nxitur reagime të shumta.
Boletini ka thënë se në RTK nuk ka pasur vullnet që të merren masa ndaj atyre që e kanë bërë lajmin.
Boletini ka shtuar se ka pasur përpjekje që RTK-së t’i emërohet një ushtrues detyre, por ka thënë se kjo nuk u mundësua nga anëtarët e Bordit.
Ka akuzuar disa anëtarë të bordit se kanë planifikuar të mos ketë ndëshkime. Boletini e ka akuzuar një pjesë të bordit se kanë qenë kundër që të suspendohet drejtori i kanaleve në gjuhën shqipe, Rilind Gëralla dhe që të sqarohet mirë situata për vendim final. Madje sipas tij “disa kishin tendenca për ta paraqitur shkrimin si korrekt dhe vetëm si një përkthim”.
“Mendime këto që në fund maten me vota. Megjithatë u dakorduam për një komision profesional që ta zbardhë rastin. Gjatë asaj dite veçse kisha kërkuar ekspertizë të IT-së për rastin. Insistimi i stafit editorial se emrat e dy mediumeve nuk janë përmendur, ishte jobindës. Raporti erdhi. Stafi editorial na kishte gënjyer. Emrat ishin përdorur. Masat nuk po merren. Plani për të penguar masat kulmoi sot”, ka shkruar ai.
Sipas tij, zvarritja në marrjen e masave ka qenë e madhe dhe e qëllimshme.
“Unë nuk mund t’i mbyllë sytë para një lëshimi të madh profesional në asnjë mënyrë në asnjë rrethanë pa u ndëshkuar përgjegjësit. Tendenca për ta kaluar këtë rast vetëm me një kërkim falje është e pakapërdishme. Prandaj, në rrethanat kur: -Shkeljet janë evidente dhe të dëshmuara dhe bordi u gënjye nga stafi editorial; -Zëvendësdrejtori që i ka përgjegjësitë e drejtorit nuk merr masa; Bllokohet tentimi për të emëruar një u.d që merr masa – duart janë të lidhura dhe qëndrimi i mëtutjeshëm është i paefektshëm dhe i pakuptimtë”, ka shkruar ai. /koha