Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç pohoi para gazetarëve në Dubrovnik se ka mbërritur një kërcënim telefonik ndaj tij personalisht dhe anëtarëve të ekzekutivit, e për këtë arsye, njësi policore kanë rrethuar ndërtesën e Qeverisë në sheshin Markova të Zagrebit për të garantuar sigurinë e tyre.
Ky kërcënim ndaj kryeministrit dhe qeverisë ndodhi në kohën kur Shërbimi Informativ i Sigurisë – SOA publikoi raportin vjetor lidhur me situatën e sigurisë në vend.
“Pikërisht në një moment të tillë, kërcënohem unë dhe anëtarët e qeverisë. Kjo ndodh gjatë gjithë kohës dhe ne duhet të punojmë për të shtypur grupet e tilla, duke angazhuar të gjitha shërbimet që merren me këtë çështje”, deklaroi Plenkoviç.
“Kroacia është vend demokratik, ku respektohet sundimi i ligjit, institucionet dhe rendi kushtetues. Dhe është e sigurt se ata që duan të rrëzojnë pushtetin me mjete të dhunshme, nuk do të kalojnë pa u vënë re dhe shteti dhe institucionet e tij do të veprojnë. Ata punojnë gjatë gjithë kohës”, shtoi ai.
Në raportin e saj, SOA thekson se “zbuloi përpjekje të individëve me qëndrime ekstremiste dhe militante për të organizuar pasuesit e tyre në mënyrë paraushtarake, me qëllim trajnimin ushtarak dhe blerjen e armëve dhe me synim përfundimtar përmbysjen e rendit kushtetues demokratik”.
Plenkoviç u shpreh se në Dubrovnik se “ishin dy grupe të identifikuara shumë qartë. Ai kujtoi sesi para tre vjetësh, Danijel Bezuk iu drejtua kryeministrisë i armatosur me kallashnikov dhe filloi të qëllonte duke plagosur rëndë një polic.
“Ai ishte një rast terrorist kundër qeverisë, që do të thotë kundër kryeministrit pra kundër meje, e për këtë, nuk ka dilemë”, u shpreh Plekonviç. I riu, 22- vjeçar, më pas kreu vetëvrasje në një pyll aty afër. /tch