Komuna e Pejës ka kërkuar ndihmën e nivelit qendror në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME) për të shuar zjarrin në shtegun e Liqenatit në Bjeshkët e Nemuna.
Për shkak të terrenit të vështirë edhe AME ka kërkuar ndihmën e KFOR-it.
Agim Haziri, udhëheqës i Qendrës Operative emergjente në AME tha se KFOR-i i është përgjigjur pozitivisht kërkesës dhe presin që së shpejti të dalë në terren.
“Kur kemi raste të tilla që s’kemi kapacitete njerëzore të mjaftueshme ose kur e kemi terrenin e thyeshëm ku s’munden me hy njerëz, atëherë përmes Qendrës së Situatave që është në Qeverinë e Kosovës kërkojmë ndihmë që ata na e garantojnë KFOR-in” – tha Haziri.
Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj tha se vatra e zjarrit është tre kilometra larg nga aty ku mund të depërtojnë kamionët, prandaj zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur që të intervenojnë. Prandaj, Zekaj tha se kanë kërkuar ndihmë nga niveli qendror.
“Ata kanë kontaktu me KFOR-in. Ata i kanë thanë që janë të gatshëm me na dalë në ndihmë dhe i kanë kërku koordinatat nga ana jonë. Ne ua kemi përcjellë dhe besoj se shumë shpejt KFOR-i dalin me helikopterë nga ajri” – shtoi ai.
The post Kërkohet ndihma e KFOR-it për shuarjen e zjarrit në Bjeshkët e Nemuna first appeared on Radio Televizioni Iliria.