Këshilli i Sigurimit i OKB-së (KS-OKB) është planifikuar të mblidhet të premten pasdite për të diskutuar shpërthimin masiv të fundit të pajisjeve “pager” në gjithë Libanin, për të cilin qeveria në Bejrut dhe Hezbollahu fajësojnë Izraelin, raporton Anadolu.
Sllovenia, kryesues i radhës në KS-OKB, njoftoi sot se kërkesa e Algjerisë për një takim urgjent është pranuar. Seanca urgjente është caktuar për të premten në orën 15:00 me kohën lokale.
Më herët sot, një valë e re e shpërthimeve të pajisjeve të radio-komunikimit në Liban vrau të paktën nëntë persona dhe plagosi më shumë se 300 të tjerë, tha Ministria libaneze e Shëndetësisë. Në dy ditët e fundit, incidentet e tilla kanë vrarë 21 persona dhe kanë plagosur mbi 3.000 të tjerë.
Hadi Hachem, ambasadori i Libanit në Kombet e Bashkuara, i përshkroi shpërthimet si “agresion që çon në krim lufte”, duke paralajmëruar se ato do të përkeqësojnë konfliktin.
Shpërthimet erdhën në mes të përshkallëzimit kufitar midis Izraelit dhe Hezbollahut, të cilët janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës vdekjeprurëse të Tel Avivit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë mbi 41.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.