Kina ka bërë të ditur se Pekini nuk do të marrë pjesë në asnjë takim të tillë të G20-tës në territorin e diskutueshëm të Kashmirit, transmeton Anadolu.
Siç raporton ‘Global Times’, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Kinës, Wang Wenbin, tha se Pekini është kundër mbajtjes së një takimi të tillë në zonat e diskutueshme.
“Kina kundërshton me vendosmëri mbajtjen e takimeve të G20-tës në çdo formë në zonat e diskutueshme dhe nuk do të marrë pjesë në takime të tilla”, tha Wang kur u pyet në lidhje me raportimet se India do të organizojë takimin e G20-tës në Kashmir.
Më 22-24 maj, India si kryesuese e grupit do të organizojë takimin e tretë të grupit të punës të G20-tës për turizmin në rajonin Xhamu dhe Kashmir.
Kjo është ngjarja e parë e madhe ndërkombëtare që organizohet pas 5 gushtit të vitit 2019, kur u hoq statusi autonom i rajonit me shumicë muslimane, duke ngritur frikë se muslimanët e rajonit do të kthehen në një pakicë të pafuqishme.
Më 9 maj, ministri pakistanez i Punëve të Jashtme, Bilawal Bhuto Zardari, gjatë vizitës në Indi për pjesëmarrjen në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), kritikoi New Delhin për mbajtjen e samitit të G20-tës në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit dhe tha se kjo tregon “arrogancën e Indisë dhe shkeljen e ligjit ndërkombëtar” pasi Kashmiri është një territor i diskutueshëm.