Parlamenti izraelit (Knesset) ka miratuar një zgjatje të ligjit që lejon mbylljen e mediave të huaja që veprojnë në vend deri në nëntor, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimi nga parlamenti izraelit, ligji në leximin përfundimtar u miratua me 26-8 vota në Knesset-in e përbërë prej 120 anëtarësh.
Ligji synon të ndalojë punën e kanalit Al Jazeera me bazë në Katar, si dhe të TV Al-Mayadeen me bazë në Liban që njihet për lidhjet e tij të ngushta me grupin Hezbollah.
Më 5 maj, qeveria izraelite vendosi të ndalojë kanalin Al Jazeera, të mbyllë zyrat e saj në Izrael dhe të kufizojë qasjen në faqen e saj të internetit, pasi ligji lejon Ministrinë e Komunikimit të mbyllë rrjetet e huaja që veprojnë në Izrael dhe të konfiskojë pajisjet e tyre nëse Ministria e Mbrojtjes identifikon se transmetimet e tyre paraqesin “një dëm aktual për sigurinë e shtetit”.
Ndalimi izraelit u kritikua gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare dhe rajonale si një sulm ndaj lirisë së medias.
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagim ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi.
Të paktën 38.800 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 89.400 të tjerë janë plagosur. Mbi nëntë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të gjera të Gazës mbeten në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.