Angelo Michele Ristuccia, i cili drejton forcat e vendosura të KFOR-it në Kosovë, ka thënë se situata aktuale në veri të Kosovës, është rezultat i disa krizave të grumbulluara gjatë viteve.
Ai ka thënë se që nga viti 2021 është bërë një hap prapa pas arritjes së disa rezultateve të rëndësishme nga e kaluara.
Komandanti i KFOR-it, ka kritikuar kryeministrin Kurti për marrjen e veprimeve siç i ka cilësuar ai, të një anshme
“Para së gjithash, vendimi i kryeministrit kosovar Albin Kurti për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të pa njohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e kundërta të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke e bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”, ka thënë ai për gazetën italiane “Corriere della Sera”.
I pyetur se veprimet e Qeverisë së Kosovës a nuk ishin legjitime për të vepruar në territorin e vet, Ristuccia u shpreh se “të mos pretendojmë se kjo është një situatë normale”…
Komandanti i KFOR-it tha se Kosova pa NATO-n do të ishte një vatër lufte, ndërsa për situatën e përshkallëzuar në veri ka thënë se përgjegjëse janë dy palët.
“Absolutisht jo. Të dyja palët nuk janë në gjendje të përfitojnë nga objektivat e arritura ndër vite, me përpjekje të mëdha nga diplomacia ndërkombëtare. Në momentin që ka një marrëveshje, ajo duhet të zbatohet. Por pa asnjë dialog, mbetet një letër e vdekur. Në bazë të gjithçkaje ka vetëm mosbesim të ndërsjellë. Pacta sunt servanda. Kjo do të mjaftonte. Por ata nuk mund ta bëjnë këtë”, tha ai.
Kujtojmë se 30 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar gjatë përleshjes më protesutesë serbë në Zveçan më 29 maj.