RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Komunat i kërkojnë Ministrisë shpërndarjen e teksteve shkollore

komunat-i-kerkojne-ministrise-shperndarjen-e-teksteve-shkollore

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që sa më shpejt të nisë procesin e shpërndarjes së teksteve mësimore në shkollat në vend, duke e cilësuar vonesën të panevojshme e të pakuptimtë.

Një ditë më parë, KOHA raportoi se premtimi i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se furnizimi me tekste shkollore do të bëhet në fund të muajit korrik, nuk u realizua as sivjet. Kanë mbetur rreth dy javë që nga fillimi i vitit të ri shkollor, ndërsa tekstet për nxënësit ende nuk kanë filluar të shpërndahen.

“Asociacioni i Komunave kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit që sa më parë të nis procesin e shpërndarjes së teksteve mësimore në shkollat e Komunave të Republikës së Kosovës. Kjo vonesë tepër e panevojshme mund të shkaktojë probleme dhe ngecje në fillimin e mbarë dhe të rregullt të vitit shkollor. Viti i ri shkollor për çdo vit nis dhe është i planifikuar të nisë njëjtën datë. Së këndejmi vonesat e tilla në shpërndarjen me kohë të teksteve mësimore janë të pakuptimta por edhe të papranueshme. Asnjë justifikim në këtë vonesë nuk i intereson askujt, e më së paku nxënësve dhe arsimtarëve tanë”, thuhet në një reagim të AKK-së të martën në Facebook.

Ministrja Arbërie Nagavci, pati kritikuar pushtetet paraprake për keqorganizim në shpërndarjen e librave.

“Tekstet shkollore nuk do të dërgohen më në shkollat tona në fillim të shtatorit gjatë procesit mësimor, por, shumë më herët në kohë, në fund të muajit korrik”, pati deklaruar Nagavci vitin e kaluar.

Sivjet përveç që nuk ka filluar shpërndarja e teksteve e shkollore në periudhën që ministrja pati premtuar, as procesi i përzgjedhjes së librave nga shkollat nuk ka përfunduar.

Sivjet me libra të rinj shkollorë do të furnizohen vetëm nxënësit e nivelit të ulët fillor, ndërsa ata të nivelit të mesëm të ulët do t’i shfrytëzojnë tekstet e vitit paraprak.

Në Ministri të Arsimit nuk kanë treguar gjatë së hënës se kur pritet të fillojë shpërndarja e teksteve shkollore.

Edhe në drejtoritë komunale të arsimit thanë se ende nuk janë informuar nga Ministria për datën e fillimit të shpërndarjes së librave.

Çdo vit, procesi mësimor në institucione e arsimit të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët ka filluar me mungesë të teksteve shkollore.

Related posts

Rama vlerëson vizitën në Athinë si më të bukurën ndonjëherë

admin

Presidenti i Sirisë pajtohet të hapen dy pika kufitare për ndihma

admin

Su’lmet ush’tarake iz’raelite në shkollat ​​në Ga’za

admin