Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar mospjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në takimin joformal mes liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë ku i ftuar është edhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.
Kryeziu ka thënë se Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama që nuk do të marrë pjesë në këtë takim, pasi muaj më parë ka konfirmuar pjesëmarrjen në konferencë në Kretë të Greqisë, e që paneli për Ballkanin Perëndimor është të njëjtën kohë kur është caktuar edhe takimi në Tiranë.
“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, ka shkruar ai, përcjell teve1.info
Kryeziu ka thënë se Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet më 16 tetor në Tiranë.
“Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar Kryeziu.
Rama ka ftuar për të hënën një takim joformal me kryeministrat e rajonit për të diskutuar lidhur me përgatitjen për Procesin e Berlinit.
Për këtë gjë ai javën e kaluar bëri edhe një vizitë në rajon, por në Prishtinë nuk u prit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Rama kishte anuluar mbledhjen e paraparë të mbahej më 14 qershor në Gjakovë, për shkak siç kishte thënë ai të situatës në veri dhe raporteve të acaruara ndërmjet Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Qeveria e Kosovës kishte reaguar për këtë duke thënë se është hera e parë që një mbledhje anulohet në mënyrë të njëanshme.