Sot në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca thotë se të zhdukurit me dhunë nga Serbia janë “një dhimbje që nuk po përfundon kurrë për popullin e Kosovës”.
Kryeparlamentari theksoi se Kosova duhet t’i marrë të gjitha masat për t’u siguruar se Bashkësia evropiane do vetëdijësohet se ka nevojë për trysni më të madhe ndaj Serbisë, përcjell teve1.info
Sipas tij, trysnia duhet të bëhet ndaj Aleksandar Vuçiqit e institucioneve serbe, që të hapin arkivat dhe të zbardhet e vërteta për të zhdukurit.
“Ne çka duhet të bëjmë është që t’i marrim të gjitha masat që janë në dorën e institucioneve të Kosovës, ashtu që të sigurohemi se edhe Bashkësia evropiane, edhe Unioni evropian, edhe faktorë tjerë të rëndësishëm të vendimmarrjes, vetëdijësohen se ka nevojë për një trysni më të madhe, në Aleksandar Vuçiqin, në institucionet e Serbisë, që t’i hapin arkivat e tyre, ashtu që të zbardhet e vërteta për mijëra të zhdukur me dhunë, për të cilët përgjegjëse padyshim kanë qenë ushtria e Serbisë, policia e Serbisë dhe formacionet paramilitare të cilat janë kontrolluar totalisht nga shteti i Serbisë”, deklaroi Konjufca pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.
Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, në Kosovë vazhdojnë të mungojnë edhe mbi 1600 persona, të zhdukur me dhunë.
Për të shënuar këtë ditë, Konjufca së bashku me presidenten Vjosa Osmani, bënë nderime te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.