Në Bruksel, sot (e enjte) është mbajtur Samiti i BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova është përfaqësuar nga presidentja, Vjosa Osmani, e cila ka mbajtur një fjalim në këtë takim të nivelit të lartë.
Megjithëse, Kosova shpresonte se në këtë samit do të merrte një përgjigje pozitive rreth liberalizimit të vizave, kjo nuk ndodhi. Vendit tonë iu premtua vetëm perspektiva evropiane.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut sërish mbetën peng të vetos së Bullgarisë, e cila ka mos marrëveshje me shtetin maqedonas.
Ukraina dhe Moldavia u shpërblyen me marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërkohë Bosnja-Hercegovina duhet të pres edhe për ca kohë, transmeton Telegrafi.
Zëdhënësi i Këshillit të Evropës, Barend Leyts ka publikuar përfundimet e nxjerra pas përfundimit të samitit, BE-Ballkani Perëndimor, ku i bëhet thirrje Prishtinës dhe Beogradit që përmes dialogut të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre.
Konkluzat:
-Bashkimi Evropian është plotësisht dhe pa mëdyshje i përkushtuar ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE të Ballkani Perëndimor dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.
-Duke u mbështetur në metodologjinë e rishikuar, Këshilli Evropian fton Komisionin, Përfaqësuesin e Lartë dhe Këshillin për të avancuar më tej integrimin gradual tashmë midis Bashkimit Evropian dhe rajonit gjatë vetë procesit të zgjerimit bazuar në merita.
-Këshilli Evropian rikujton rëndësinë e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe në veçanti ato lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit si dhe luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu u bën thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të pakicave.
-Këshilli Evropian është informuar rreth zhvillimeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai kërkon të arrihet një zgjidhje e shpejtë rreth çështjeve të fundit të mbetura në mënyrë që negociatat e anëtarësimit të mund të hapen pa vonesë.
-Këshilli Evropian rikonfirmon se duhet të arrihet me urgjencë një progres i prekshëm rreth çështjeve të pazgjidhura dhe mosmarrëveshjeve rajonale, veçanërisht mes Beogradit dhe Prishtinës, ku përmes dialogut të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosova.
-Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen politike të arritur më 12 qershor të vitit 2022 nga liderët e Bosnjës dhe Hercegovinës në Bruksel, e cila është e nevojshme për stabilitetin dhe funksionimin e plotë të vendit në mënyrë që t’i përgjigjet aspiratave të njerëzve. Këshilli u bën thirrje të gjitha partive politike dhe liderëve në Bosnje dhe Hercegovinë që t’i zbatojnë me shpejtësi angazhimet e përcaktuara në arritjen e marrëveshjeve dhe urgjentisht të finalizojnë reformën kushtetuese dhe zgjedhore, e cila do lejojë që vendi të përparojë me vendosmëri në rrugën evropiane, në përputhje me opinionin e Komisionit.
-Këshilli Evropian është i gatshëm t’i japë statusin e vendit kandidat Bosnje eHercegovinës dhe e fton Komisionin që të raportojë pa vonesë tek Këshilli rreth zbatimit të 14 prioriteteve kyçe të përcaktuara për vendin.