Koreja e Veriut po kalon periudhën më të keqe të mungesës së ushqimit me të cilën është përballur që nga uria masive që shkatërroi vendin gati 30 vjet më parë, sipas një raporti nga faqja amerikane “38 North”.
Raporti analizoi të dhëna nga burime duke përfshirë Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së, Departamentin e Bujqësisë të SHBA-së dhe gazetën e pavarur Daily NK.
Duke përmendur keqmenaxhimin ekonomik, efektet e pandemisë COVID-19 dhe rritjen e çmimeve globale të ushqimeve, raporti përfundon se “balanca neto e drithërave të Koresë së Veriut ka rënë nën nevojat minimale njerëzore”.
“Disponueshmëria e ushqimit ka të ngjarë të ketë rënë nën minimumin e nevojave njerëzore dhe me një masë është më e keqja që nga uria e vendit në vitet 1990”, thuhet në raport, i publikuar nga qendra e mendimit në Uashington, The Stimson Center.
Vlerësimet ndryshojnë shumë, por uria e viteve 1994-1998 – e referuar në mënyrë eufemistike nga liderët e Koresë së Veriut si “Marshi i Vështirë” – mund të ketë marrë një milion jetë, ose pesë për qind të popullsisë në atë kohë.
Të dhënat nga raporti tregojnë se çmimi i misrit është rritur më shumë se çmimi i orizit, kultura kryesore e vendit, pas mbylljes së kufijve për shkak të COVID-19 në vitin 2020, që nënkupton mungesë të madhe ushqimore në familje. /koha