Qytetarët e Kosovës nuk janë marrë me dhunë dhe zhdukur vetëm në luftën e fundit në Kosovë por edhe në luftërat e më hershme në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovin.
Për këtë arsye, ditë më parë është mbajtur takimi i grupit rajonal për rastet e paidentifikuara të personave të zhdukur, ku vendi ynë ka arritur identifikimin e njëmbëdhjetë mbetjeve mortore dhe pesë rasteve të konfirmimit të identiteti. Megjithatë, ajo çka mbetet shqetësuese, është identifikimi i lokacioneve në territorin e Serbisë, pasi ende nuk ka ndonjë datë për të vazhduar gërmimet atje.
Dyshuese është edhe identifikimi dhe marrja e mbetjeve mortore nga familjarët në kohën kur gjurmimet i ka bërë Tribunali i Hagës, pasi personat janë identifikuar në mënyrë tradicionale dhe jo me ADN, për çka familjarët luten për bashkëpunim në mënyrë që të vërtetohen edhe një numër i madh i mbetjeve mortore që janë në murgun e Prishtinës.
Nga Komisioni Qeveritarë për të pagjeturit, Kushtrim Gara, thotë se ky proces ka filluar që nga viti 2021 dhe se sfida me të cilën përballen janë ende mungesa e informacioneve nga pala serbe.
Ai tha se populli i Kosovës është përballur me luftëra në të gjithë fazën e historisë dhe si pasojë e luftës, kanë duke bashkëpunuar me Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, për të identifikuar lokacione dhe persona të pagjetur edhe në atë pjesë.
Gara theksoi se në raport me palën serbe për identifikimin e lokacioneve dhe gjetjen e personave të pagjetur, edhe sot është e nevojshme përkrahja nga bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë që të ketë një qasje presioni që pala serbe të jetë më bashkëpunuese me Kosovën.
“Meqë ne jemi shumë të sigurt që varrezat masive duhet të jenë në këtë hapësirë por është e nevojshme që të kemi të dhëna nga arkivat në institucionet e Serbisë, meqë po flasim për një zonë në afërsi të minierave që them kusht ishte që ky ndryshimi i tereni është i natyrshëm, prandaj jemi 24 vite pas luftës dhe të gjitha të dhënat nga institucionet serbe dhe ato ndërkombëtare të vënë në dispozicion të këtij procesi, dhe pastaj ne do të mund të saktësonim lokacionet apo do të mund të zgjidhnim rastet e personave te zhdukur në përpjekje të respektimit të drejtave familjarë për ta ditur vendndodhjen e me të dashurit të tyre, të rrëmbyer me forca gjatë luftës në Kosovë”, u shpreh Gara për KP.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Familjeve të Zhdukura, Ahmet Grajçevci shtoi se gërmimet po vazhdojnë të neglizhohen shkaku i Serbisë.
“Ne kemi edhe njerëz të zhdukur në territorin e Bosnjës, në Kroaci dhe punëtorë ose qofshin udhëtarë që kanë udhëtuar nga Sllovenia në Kosovë, janë të zhdukur edhe për këtë duhet me ligj dhe të rregullohet edhe çështja e tyre… I lusim familjarët të gjithë ata që i kanë marrë në mënyrë tradicionale prej Tribunalit të Hagës në varrezat masive, të na japin pesë pika gjak nuk i kushton asgjë, nuk do të prekim varrin dhe lapidarin, vetëm na intereson për ato analiza a janë në murg ose jo”, tha Grajcevci.
Mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.