Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka nënshkruar marrëveshjen për themelimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu.
Siç njofton ministria kosovare, Sveçla e pranoi këtë marrëveshje të nënshkruar edhe nga homologu i tij maqedonas, Oliver Spasovski, gjatë një takim që ka pasur me ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi.
“Kjo marrëveshje e nënshkruar sot edhe nga ministri Sveçla është hartuar mbi marrëdhëniet fqinjësore mes dy vendeve dhe ka për qëllim fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit rajonal”, njoftoi ministria.
Marrëveshja do të mundësojë themelimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, përkatësisht pikat kufitare “Han i Elezit-Bllacë” dhe “Glloboqicë-Jazhincë”.
Në pikën e përbashkët të kalimit kufitar “Han i Elezit-Bllacë” kontrollet doganore dhe kufitare do të kryhen në territorin e Maqedonisë së Veriut (PPKK Bllacë), ndërsa në pikën e përbashkët të kalimit kufitar “Glloboqicë-Jazhincë” kontrollet doganore dhe ato kufitare do të bëhen në territorin e Kosovës (PPKK Glloboqicë).
“Qytetarët e dy shteteve tona përmes kësaj marrëveshje nuk do t’i nënshtrohen më ndalesave të dyfishta, por kontrollet do të bëhen vetëm në njërën pikë të kalimit”, ka theksuar ministri Sveçla.
Në njoftim theksohet ky thjeshtim i procedurave do të krijojë lehtësira të lëvizjes së personave dhe automjeteve, derisa do të kursejë kohën e qytetarëve dhe do të shmangë pritjet në pikat kufitare.