Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 25 vjetorin të ditës së Çlirimit të Kosovës, ka pritur në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, të cilin e ka falënderuar për kontributin e Shqipërisë para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Gjatë takimit me të parin e shtetit shqiptar, Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova është përjetë falënderuese për kontributin e Shqipërisë.
“Shqipërisë i jemi falënderues për jetë për gjithë kontributin e saj para luftës, gjatë luftës e pas luftës. Sot e kësaj dite dhe presidenti i Shqipërisë Begaj është gjithmonë i mirëseardhur duke qenë edhe ushtarak edhe mjek e di shumë mirë 12 qershorin e 1999 dhe të falënderoj nga zemra”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, presidenti Begaj ka shtuar se para 25 viteve është vënë në vend padrejtësia shekullore që është mundësuar me gjakun dhe sakrificën e heronjve të UÇK-së.
Begaj gjithashtu përgëzoi Kosovën për gjithçka që ka bërë deri me tani dhe për atë që do të bëjë në të ardhmen, për pasur një popull me mirëqenie dhe prosperitet.
“Sot është dita e rilindjes së Kosovës, e vënies në vend të asaj padrejtësie shekullore që u mundësua me gjakun, sakrificën e heronjve të UÇK-së dhe unë dua të përgëzoj Kosovën për gjithçka që ka bërë deri më tani, dhe që do të bëjë në të ardhmen për të pasur një popull i cili do të ketë mirëqenie dhe prosperitet”, është shprehur Begaj.