Krerë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur ngushëllime pas shpërthimit që ndodhi në Taksim të Istanbulit nga i cili deri më tash janë të paktën gjashtë viktima dhe dhjetëra të plagosur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova qëndron me popullin e Türkiyes gjatë kësaj kohe të vështirë.
“E pikëlluar thellësisht nga lajmi i shpërthimit të tmerrshëm në zemër të Istanbulit sot. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e viktimave ndërsa të gjithë të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë. Ne qëndrojmë me popullin e Türkiyes gjatë kësaj kohe të vështirë”, ka shkruar Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime Republikës së Türkiyes për shpërthimin vdekjeprurës, derisa tha se mendimet dhe lutjet e tij janë me familjet e viktimave.
“I shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta Republikës së Türkiyes pas shpërthimit të sotëm vdekjeprurës në Istanbul. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e atyre që humbën jetën, ndërsa të plagosurve u uroj shërim të shpejtë”, shkroi Kurti.
Për rastin ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se me trishtim e ka marrë lajmin për humbjen e jetëve të pafajshme dhe plagosjen e shumë të tjerëve si pasojë e shpërthimit në qendër të Istanbulit.
“Ndajmë dhimbjen e madhe me familjet e viktimave dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve. Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet, popullin turk, Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe Presidentin e Türkiyes”, shkroi Konjufca.
Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar, nga shpërthimi që ndodhi në rrugën e njohur Istiklal pranë sheshit Taksim në Istanbul në orën 16:20 sipas kohës lokale.
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, duke folur në një konferencë shtypi, tha se bazuar në informacionet fillestare nga guvernatori i qytetit, ka sinjale se shpërthimi mund të ketë qenë akt terrorist.