RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kosovë, opozita kërkon nga Qeveria masa për të ndihmuar qytetarët në krizën ekonomike

kosove,-opozita-kerkon-nga-qeveria-masa-per-te-ndihmuar-qytetaret-ne-krizen-ekonomike

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kritikuar dhe kanë kërkuar masa nga Qeveria e Kosovës për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të cilët po përballen me ngritje të çmimeve në produktet bazë të konsumit si pasojë e krizës ekonomike të shkaktuar kryesisht nga lufta në Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

Propozuesi i këtij debati, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besian Mustafa tha se në muajin maj inflacioni ka tejkaluar shifrën 12.5 për qind ndërsa në disa produkte ushqimore ky inflacion ka kaluar edhe deri në 83 për qind.

Deputeti Mustafa tha se qytetarët “janë zënë ngushtë” me koston e jetesës që po rritet çdo ditë dhe në anën tjetër pagat që nuk po rriten dot.

“Qeveritarët mund të mos e ndjejnë këtë ngritje çmimesh sepse një pjesë e madhe e shpenzimeve këtu duke përfshirë tërësisht kostot e derivateve, i kanë të mbuluara nga vetë qytetarët, por, qytetarët nuk po përkrahen dot nga kjo Qeveri në këtë drejtim. Qytetarëve të Kosovës po u rritet kosto e jetesës në ushqim, në veshmbathje, në energji elektrike”, theksoi Mustafa.

Përfaqësuesi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri tha se kanë propozuar që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në produktet esenciale të zbritet nga 18 në 8 për qind por janë refuzuar nga Qeveria për këtë propozim.

Ai tha se megjithëse janë të vetëdijshëm se si ka ardhur deri tek rritja e çmimeve, akuzojnë Qeverinë për neglizhencë dhe mosangazhim.

“Ditët e sotit të cilët po i kalojnë qytetarët e Kosovës, kërkojnë ndërhyrjen dhe angazhimin direkt të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, theksoi Tahiri.

Përfaqësuesja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se opozita aktualisht në Kuvend bojkoton angazhimin konstruktiv në procesin e votimeve në seanca plenare ndërsa propozon ide “që nuk kontribuojnë në stabilitetin financiar të vendit, por e kundërta”.

Ajo tha se ka pasur edhe manipulime me çmime të tregtarëve, andaj, ka propozuar që të iniciohet projektligji që përcakton marzhën e fitimit për produktet bazë ku hynë, drithërat, sheqeri, kripa, qumështi dhe produktet e tij, vaji për ushqim, vezët dhe disa produkte tjera bazike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është evidente se ka rritje të çmimeve në përgjithësi e posaçërisht për produktet e konsumit, si pasojë e luftës në Ukrainë dhe zinxhirit të furnizimit me naftë, vaj, grurë e produkte tjera.

Mirëpo, Kurti theksoi se në produktet e importit, si Qeveri nuk kanë ndonjë kontroll apo ndikim.

“Si Qeveri kemi bërë maksimumin që të sigurohemi se po i marrim masat e nevojshme për t’i arritur tri qëllime kryesore. E para, të parandalojmë presionet inflacionare të brendshme për aq sa mundemi. E dyta, të mbështesim ata që kanë nevojë më së shumti dhe e treta, të marrim masa kundër tregtarëve spekulantë që tentojnë ta shfrytëzojnë këtë krizë për të trashur fitimet e tyre”, theksoi Kurti.

Agresioni rus në Ukrainë, që ka nisur më 24 shkurt të këtij viti ka trazuar ekonominë globale, me theks të veçantë atë të Evropës dhe kështu ka pasur ndikim jodirekt edhe në Kosovë ndërsa edhe udhëheqës të institucioneve financiare në Kosovë kanë deklaruar se është e vështirë të ndërmerret ndonjë masë për parandalimin e rritjes së inflacionit në Kosovë, pasi një gjë e tillë do të kishte efekte negative në rritjen e ekonomisë së vendit.

Related posts

Kush pritet të fitojë dhe a do të kenë ndikim në politikat e BE-së? Çfarë duhet të dini për zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian

admin

USAID-i alarmon për krizë urie në shtetet afrikane – VIDEO

admin

Vriten 4 ushtarë tjerë izraelitë gjatë përleshjeve në Gaza

rezart morina