Në të njëjtën kohë kur filloi Nata e Zjarreve apo ceremonia mbyllëse e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Prekaz të Skenderajt, edhe në Komunën e Prishtinës u ndezën flakadanët në shenjë nderimi për familjen Jashari dhe të rënët për lirinë e Kosovës, raporton Anadolu.
Në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytetin Prishtinë, por edhe në të gjitha rajonet e Kosovës për nder të 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së qytetarët përmbyllën manifestimin gjithë popullor me ndezjen e flakadanëve.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se zjarret janë ndezur në shenjë nderimi dhe respekti për familjen Jashari, si dhe për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Rama tha se në shesh u vendos edhe një poster që paraqet historinë e familjes Jashari gjatë viteve të nëntëdhjeta.
“T’i mbajmë në mend përgjithmonë, t’i mësojmë edhe gjeneratat e reja në mënyrë që edhe fëmijët tanë ta dinë historinë se si është fituar liria. Liria është fituar me gjak dhe tani duhet të punojmë sa më shumë që ta ngrisim nivelin e edukimit, të forcohemi, që të mos lejojmë që në të ardhmen të ndodhin këto masakra kurrë me popullin tonë, pra ta mbrojmë paqen” theksoi Rama.
Në të njtëjtën kohë manifestimi kryesor i përmbylljes së Epopesë së UÇK-së mblodhi mijëra qytetarë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt, ku u ndezën flakadanët pranë shtëpisë së familjes Jashari e deri në kompleks.
Për tre ditë, më 5,6 dhe 7 mars qytetarët kanë dërguar lule pranë varreve të të rënëve në Prekaz dhe janë shënuar aktivitete të shumta të organizuara nga institucionet e vendit.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 forcat paramilitare serbe vranë komandantin Adem Jashari bashkë me të gjithë familjarët dhe të afërmit që ishin në kullë.