Propozimi francez në këtë formë është i papranueshëm për kryeministrin, qeverinë, presidentin dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Kështu tha kryeministri Dimitar Kovaçevski duke e refuzuar publikisht nga Brukseli propozimin e presidencës franceze për heqjen e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Ai numëroi kushtet që duhet të përmbushen për të arritur marrëveshje me Bullgarinë. Formulimi i pastër për gjuhën maqedonase dhe mbrojtje e qartë për identitetin maqedonas. Çështjet historike nuk mund të bëhen pjesë e kornizës negociuese. Bisedimet të hapen përpara ndryshimit të Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve. Garanca nga BE se nuk do të ketë kushte të reja nga Bullgaria. Çdo zgjidhje duhet të marrë miratimin e institucioneve të vendit. Pa këto kushte, sipas Kovaçevskit, Maqedonia e Veriut nuk do të pajtohet për asnjë zgjidhje me Bullgarinë.
Kushtet e RMV-së
-Formulim i pastër për gjuhën maqedonase dhe mbrojtje e qartë për identitetin maqedonas.
-Çështjet historike nuk mund të bëhen pjesë e kornizës negociuese.
-Bisedimet të hapen përpara ndryshimit të Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve.
-Garanca nga BE se nuk do të ketë kushte të reja nga Bullgaria.
-Çdo zgjidhje duhet të marrë miratimin e institucioneve të vendit
“Në Samit shpreha pakënaqësitë për dinamikën me të cilën zhvillohen proceset. Do të jem direkt që tani. Kjo që po ndodh është problem serioz dhe goditje serioze ndaj kredibilitetit të BE-së. Po humbim kohë të vlefshme. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria por edhe rajoni nuk mund të lejojmë të ngelemi në vendnumëro për shkak të një vendi anëtar i cili nuk mund të koordinohet dhe të heq pengesën për hapjen e bisedimeve. Çështjet bilaterale nuk mund të bëhen problem multirateral”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama madje tha se Bullgaria nuk është arsyeja e bllokimit të Ballkanit, por fryma e deformuar e zgjerimit të BE-së.
“Arsyeja nuk është vetëm Bullgaria. Bullgaria është një turp, por nuk është e vetmja arsye. Arsyeja është fryma e deformuar e zgjerimit të BE-së. Një frymë tërësisht e deformuar. Dhe Bullgaria është shprehja më e dukshme e saj. Fryma e zgjerimit ka kaluar nga vizioni i përbashkët i një komuniteti, tek marrja peng nga shtetet individuale”.
Ndërkohë presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se deri sa të hiqet bllokada për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, 3 vendet e Ballkanit të Hapur do ta çojnë përpara bashkëpunimin për hirë të qytetarëve të vendit.
“Unë besoj se do të jemi në gjendje që të gjithë së bashkë sa më shpejtë të zgjidhim çështjen shumë të vështirë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por ndërkohë do të bëjmë maksimumin që të rrisim nivelin e bashkëpunimit për vendet tona, për të përmirësuar marrëdhëniet tona dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë për qytetarët tanë”.
Tre liderët e Ballkanit të Hapur madje u shprehën të shqetësuar se në Samitin e sotëm kanë dëgjuar edhe kundërshtime ndaj nismës së Ballkanit të Hapur nga liderë dhe shtete të ndryshme. /shenja