RMV: Në ditën e e dytë të Forumit të Prespës për Dialog, kryeminsitri i vendit Dimitar Kovaçevski, ka kërkuar heqjen e kufijve në Ballkan. Sipas tij, kufijtë janë vetëm burim i korrupsionit. Ai madje ka deklaruar se s’kemi nevojë për këta kufi të çmendur.
I pari i qeverisë gjithashtu për këtë çështje ka adresuar kritika edhe për ndërkombëtarët, për të cilët Kovaçevski tha se japin fonde për kufijtë, në vend se të ndihmojnë në heqjen e kufijve mes vendeve në Ballkan.
“Dhe pastaj shoh disa politikanë budallenj që thonë se si mund të ekzistojë ‘Ballkani i Hapur’ sepse nuk ka kufi mes Serbisë dhe Shqipërisë, do të thotë imagjinoni. Atëherë si mund të ekzistojë BE-ja, sepse ku është kufiri mes Portugalisë dhe Greqisë, ku është kufiri mes Bullgarisë dhe Suedisë, do të thotë e sheh se çfarë politikanësh ke në Ballkan, do të gjejnë gjithçka, ndonjë budallallëk që mos të kenë kooperim mes vendeve”.
Paradoksi më i madh sipas kryeminsitrit Dimitar Kovaçevski është se shtetet e ballkanit janë vendet e vetme që nuk kanë pasur kufi për 50 vjet, ndërsa siç tha ai, tani të njejtat janë vendet e vetme që kanë kufi.
“Këta persona që janë të ulur në rreshtin e parë, që vijnë nga Gjermania, Franca. Ata kanë pasur kufi, tani ata nuk kanë kufi, ne kemi kufi! Kur ata kishin kufi, ne nuk kishim kufi dhe tani po na japin ndihmë, IPA fonde për kontroll më të mirë kufitar. Më japin para që t’i vendos në kufi, kjo është paradoks”.
Kovaçevski gjithashtu nga Struga ka folur edhe situatën në veri të Kosovës, ai tha se kjo është një sfidë për të gjithë dhe sipas tij kjo duhet të zgjidhet sa më shpejtë. /shenja