Kreu i Kishës Ortodokse serbe, Porfirije, ka shfrytëzuar promovimin e autostradës mes Beogradit dhe kryeqytetit të Republika Sërpskas, Banjallukë, për të provokuar Bosnjë-Hercegovinën dhe më gjerë.
Ai gjatë përurimit, të enjten, tha se kufijtë janë “kategori që ndryshon” dhe paralajmëroi ndryshim të tyre “në të ardhmen”, shkruan Index.hr.
“Të gjithë e dimë se gjatë historisë kufijtë e shteteve dhe vendbanimet e njerëzve tanë kanë ndryshuar dhe nuk jemi të sigurt se në historinë ku gjithçka është relative, ato nuk do të ndryshojnë në të ardhmen”, tha Porfirije.
Ambasada e SHBA-së në Sarajevë e dënoi këtë deklaratë dhe të Milorad Dodikut, përfaqësuesit serb në Presidencën e Bosnjës, që tha po në këtë promovim, se “sot serbët kanë dy shtete, por do të punojmë që serbët të jenë të bashkuar”.
Sipas SHBA-së, çdo shkelje e Marrëveshjes së Daytonit, që i dha fund luftës në Bosnjë, do të dënohet.
“Të gjitha historitë boshe të zotit Dodik nuk mund të ndryshojnë faktin themelor se Republika Sërpska nuk është shtet. Është një nga dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës. Aspirata e tij nuk e mbron Republika Sërpskan dhe banorët e saj, por luan kumar me të ardhmen e tyre”, paralajmëroi ambasada amerikane në Twitter.
Ai gjatë promovimit e ftoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në atë më mënyrë, që u vlerësua tejet provokative nga mediat në Bosnjë.
“Mirëserdhët në të tuajën mes tuajve”, i tha Dodik Vuçiqit. /koha