Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh i tronditur dhe zemëruar lidhur me masakrën e fundit në shkallë të gjerë të civilëve në sulmet e kryera nga grupet ekstremiste në qendër të Malit, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Sekretari i Përgjithshëm është i tronditur dhe i zemëruar nga raportet se të paktën 100 civilë janë vrarë në sulmet që thuhet se janë kryer nga grupet ekstremiste kundër disa fshatrave në rajonin Bandiagara të Malit qendror, më 18 dhe 19 qershor”, thuhet në një deklaratë të OKB-së.
Në një nga vrasjet më të rënda të civilëve në vend, terroristët e dyshuar bastisën disa fshatra në Malin qendror fundjavën e kaluar, duke lënë të paktën 132 të vdekur, njoftoi qeveria të hënën.
Sulmet, të cilat synonin fshatrat Diallassagou, Dianweli, Deguessagou dhe zonat përreth në qarkut Bankass, iu atribuuan anëtarëve të “Katiba du Macina” (Fronti Çlirimtar i Macinas) dhe predikuesit Amadou Kouffa.
Kreu i juntas, kolonel Assimi Goita, shpalli tre ditë zie për viktimat.
Guterres shprehu ngushëllimet e tij dhe bëri thirrje për veprime të shpejta kundër atyre që janë përgjegjës për masakrën.
“Sekretari i Përgjithshëm shpreh ngushëllimet e tij të thella për familjet e viktimave si dhe për popullin e Malit. Ai i dënon këto sulme në termat më të ashpër dhe u bën thirrje autoriteteve të Malit që t’i hetojnë me shpejtësi ato dhe t’i nxjerrin autorët para drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
Që nga viti 2012, Mali është përballur me sulme të rregullta të orkestruara nga militantët në Malin verior dhe qendror ku janë shënjestruar ushtarë dhe civilë.
Guterres u bëri thirrje gjithashtu autoriteteve të Malit të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në vend dhe përsëriti gatishmërinë e OKB-së dhe Misionit të Stabilizimit të Integruar Shumëdimensional të Kombeve të Bashkuara në Mali (MINUSMA) për të mbështetur përpjekjet.
Gjithashtu javën e kaluar, një paqeruajtës i Misionit MINUSMA u vra gjatë patrullimit në një shpërthim në rajonin Kidal të Malit verior.
Të martën, qindra qytetarë të zemëruar demonstruan në pjesën qendrore të qytetit Bankass për të kërkuar mbrojtje nga shteti. /aa