Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami konfirmoi se SHBA-ja ka blerë ujë të rëndë të prodhuar nga Irani, i cili përdoret në reaktorët bërthamorë, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve IRNA, Eslami gjatë një aktiviteti në kryeqytetin Teheran tha se Irani programin e tij bërthamor e bazon në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe Marrëveshjen e Kontrollit të Sigurisë dhe asaj të Parandalimit të Përhapjes së Armëve Bërthamore, duke shtuar se vazhdojnë bashkëpunimin me IAEA në këtë drejtim.
Ministri iranian: ShBA-ja blen ujë të rëndë të Iranit nëpërmjet palëve të treta
Ai theksoi se kanë dorëzuar një deklaratë në IAEA në lidhje me dy vendet për të cilat IAEA ka kërkuar leje për qasje për dyshime për aktivitete bërthamore. Eslami tha se shpresojnë se kjo çështje do të zgjidhet.
Eslami komentoi deklaratat e kryediplomatit iranian Hossein Amir-Abdollahian, se SHBA-ja ka blerë ujë të rëndë që përdoret në reaktorët bërthamorë të prodhuar në Iran. “Ne ujin tonë të rëndë e shesim zyrtarisht. SHBA-ja një herë e ka blerë dhe sot ka kërkesa (për ta blerë) nga vendet tjera. Strategjia jonë është ta përpunojmë ujin e rëndë dhe ta përdorim atë brenda rregullave”, tha ai.
– Kryediplomati iranian: SHBA-ja ka blerë ujë të rëndë të vendit tonë nëpërmjet ndërmjetësit
Pas marrëveshjes së arritur midis Iranit dhe shteteve P5+1 në korrik të vitit 2015, Irani kishte njoftuar se ka arritur marrëveshje me një kompani amerikane për shitjen e “ujit të rëndë” prej 32 tonësh për SHBA-të, por më pas nuk kishin informuar vallë marrëveshja është zbatuar apo jo.
Sipas marrëveshjes bërthamore, megjithëse qeveria e Teheranit mund të përdorë ujë të rëndë në reaktorin Arak, i cili është ristrukturuar në përputhje me marrëveshjen, furnizimin e tepërt me ujë të rëndë ose uranium të pasuruar detyrohet ta shesë jashtë vendit.
Në këtë proces Irani ka njoftuar se i ka shitur Rusisë 70 tonë ujë të rëndë.
SHBA-ja u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018 dhe filloi të vendosë sërish sanksione ndaj Iranit. Si përgjigje ndaj kësaj, Irani ndërpreu angazhimet e tij në marrëveshjen bërthamore.
Kryediplomati iranian Abdollahian, në një fjalim më 9 dhjetor tha se SHBA-ja blen ujë të rëndë të prodhimit iranian, i cili përdoret në reaktorët bërthamorë.
“SHBA-ja blen ujë të rëndë nga Irani nëpërmjet një ndërmjetësi. Një zyrtar perëndimor më tha se uji i rëndë me cilësi më të mirë të prodhuar në mbarë botën është ai i Iranit”, ka thënë Abdollahian.