Partia qeverisëse e qendrës së djathtë në Kroaci, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), fitoi zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura të mërkurën, njoftoi Komisioni Shtetëror Zgjedhor (DIP), raporton Anadolu.
Pas 95,54 për qind të votave të numëruara, HDZ fitoi 60 vende për parlamentin kombëtar me 151 ulëse, nga 64 që kishte më parë.
Koalicioni opozitar i kryesuar nga Socialdemokratët (SDP) fitoi 42 vende, ndërsa Lëvizja Atdheu e krahut të djathtë doli e treta me 14 vende.
Parlamenti do të përfshijë gjithashtu 8 deputetë nga partitë e pakicave dhe tre nga diaspora kroate.
“E rëndësishme është që HDZ fiton bindshëm zgjedhjet parlamentare për të tretën herë radhazi. Ne do të fillojmë të formojmë një shumicë të re parlamentare që nga orët e mëngjesit për të formuar qeverinë për të tretën herë”, tha kryetari HDZ-së dhe kryeministri Andrej Plenkoviq.
Kryetari i SDP-së Pedja Gërbin tha se do të ketë bisedime që do të zgjasin ditë, javë, ndoshta edhe muaj.
“Por, këto bisedime do të përfundojnë në ndryshim. Ky ndryshim do ta bëjë Kroacinë një vend më të mirë. Kroacia mund dhe do të jetë një vend më i mirë për të jetuar”, tha Gërbin.
Pritet të formohet një qeveri koalicioni pasi asnjë parti politike apo aleancë nuk arriti të marrë e vetme shumicën e kërkuar. Kroacia, anëtarja më e re e BE-së, mban zgjedhje të përgjithshme çdo katër vjet.
HDZ fitoi gjithashtu zgjedhjet e përgjithshme në 2016 dhe 2020.
Votuesit në Kroaci hodhën votat e tyre të mërkurën për të zgjedhur anëtarët e rinj të parlamentit me 151 vende nga 2.302 kandidatë, 42 për qind prej tyre gra.