Kryeministri kinez, Li Keqiang, ka thënë se ura e sapohapur Peljesak në Kroaci, do të forcojë më tej miqësinë Kinë-Kroaci.
Li i bëri këto komente kur foli në ceremoninë e përurimit të projektit të ndërtuar nga Kina.
Ura, 2,440 metra e gjatë dhe 22,5 metra e gjerë, lidh bregdetin jugor të Adriatikut të Kroacisë me pjesën tjetër të vendit. Ky është projekti më i madh i infrastrukturës së transportit që nga vendosja e lidhjeve diplomatike Kinë-Kroaci dhe konsiderohet si një model i bashkëpunimit trepalësh midis Kinës, Kroacisë dhe Bashkimit Europian (BE).
Duke kujtuar vizitën e tij në kantierin e ndërtimit me kryeministrin kroat, Andrej Plenkovic, tre vite më parë, Li tha se ishte një arritje e madhe që projekti kishte përfunduar sipas planit, pavarësisht sfidave të shumta, si pandemia COVID-19 dhe tërmeti.
Ai shtoi se ura, e cila mishëron miqësinë Kinë-Kroaci, pritet të lehtësojë udhëtimet dhe logjistikën e vendasve, të nxisë zhvillimin ekonomik dhe social dhe të përmirësojë mirëqenien e njerëzve në Kroaci.
Kryeministri theksoi se projekti i ndërmarrë nga një sipërmarrje kineze me oferta të hapura dhe konkurrencë të ndershme, ka ndjekur rregullat e tregut dhe rregulloret e BE-së.
Ai tha se projekti shërben si një shembull i bashkëpunimit Kinë-Europë, që paraqet përfitime reciproke.
Kina dhe BE-ja janë partnerë strategjikë gjithëpërfshirës.
Kina është e lumtur që sheh një Europë të bashkuar dhe të begatë dhe gjithmonë ka mbrojtur bashkëpunimin e ndërsjellë mbi bazën e respektit dhe trajtimit të barabartë, që u shërbejnë interesave themelore dhe afatgjata të të dyja palëve, tha Li.
Kina dhe BE janë forca të rëndësishme politike në botë dhe bashkëpunimi i tyre, jo vetëm që do të kontribuojë në zhvillimin e tyre, por edhe në zhvillimin dhe përparimin e gjithë njerëzimit, shtoi ai, duke u kërkuar të dyja palëve të mbështesin regjimin tregtar shumëpalësh, me Organizatën Botërore të Tregtisë si qendër, për të nxitur një ekonomi të hapur botërore. /monitor