RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryediplomati ukrainas u drejtohet ministrave evropianë: Është kohë për të vepruar, jo për të debatuar

kryediplomati-ukrainas-u-drejtohet-ministrave-evropiane:-eshte-kohe-per-te-vepruar,-jo-per-te-debatuar

Është “koha për të vepruar” dhe “jo për të debatuar”, tha sot ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, duke komentuar nevojën për mbështetje të mëtejshme ushtarake për vendin e tij, ku po vazhdon “operacioni special ushtarak” i Rusisë që nga shkurti i vitit 2022, raporton Anadolu.

“Kemi nevojë për vendime konkrete dhe të guximshme sot për t’i siguruar Ukrainës sisteme shtesë Patriot dhe SAMP/T, raketa, artileri dhe municione, si dhe armë dhe pajisje të tjera sa më shpejt të jetë e mundur. Tani që jeni të gjithë këtu në tryezë, është koha për të vepruar, jo për të debatuar”, tha Kuleba në një takim të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të BE-së, në të cilin ai mori pjesë nëpërmjet internetit.

Kuleba dhe ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, i cili gjithashtu mori pjesë në seancë, shprehën mirënjohjen ndaj homologëve të tyre evropianë për mbështetjen e dhënë që nga fillimi i konfliktit.

Kuleba gjithashtu përshëndeti miratimin e projektligjit prej 60 miliardë dollarësh të ndihmës për Ukrainën nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së të shtunën, por shtoi se Evropa “nuk mund dhe nuk duhet të relaksohet”.

“Së pari, mbrojtja e Evropës është para së gjithash një çështje për ne, evropianët. Së dyti, gjatë gjashtë muajve të diskutimeve në Shtetet e Bashkuara, Evropa ka demonstruar lidership të vërtetë dhe aftësi për të vepruar. Ju jam mirënjohës për këtë. Ne duhet ta kujtojmë këtë ndjenjë dhe të vazhdojmë këtë lëvizje përpara të Evropës”, tha ai.

E vetmja mënyrë për të parandaluar Rusinë që të shkaktojë një luftë më të madhe në Evropë është t’i “shkaktohet humbje e dhimbshme” ushtrisë ruse në Ukrainë, tha kryediplomati ukrainas.

“Vetëm duke i shkaktuar një humbje Putinit në territorin tonë, ne mund ta detyrojmë atë të braktisë planet e tij agresive për Moldavinë, Poloninë, shtetet baltike, Finlandën dhe vende të tjera evropiane”, tha ai.

Related posts

Këshilli i Etikës rekomandon suspendimin e Xhevat Krasniqit

RTI

Ministrat e Jashtëm të G7 paralajmërojnë për përshkallëzimin e konfliktit rajonal mes tensioneve në rritje

RTI

Tre persona të lënduar nga një aksident në Zllakuqan të Klinës

RTI