Kryeministri indian dhe ai grek diskutuan sot bashkëpunimin në kuadër të Korridorit Ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Evropë (IMEC), transmeton Anadolu.
Kryeministri indian Narendra Modi zhvilloi bisedime me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, i cili mbërriti në Indi për një vizitë shtetërore dyditore.
Liderët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje se si të zhvillohet bashkëpunimi në kuadër të IMEC-ut, u tha gazetarëve në kryeqytetin indian New Delhi Sekretari i Jashtëm i Indisë, Vinay Mohan Kwatra.
Më herët, gjatë deklaratave për shtyp të dy liderëve, Mitsotakis tha se përmes IMEC-ut, “ne e shohim pjesëmarrjen tonë si një aspekt shumë të rëndësishëm të këtij partneriteti strategjik” dhe vuri në dukje se Greqia “është porta e Indisë për në Evropë”.
“Por sigurisht, siç diskutuam, për ta arritur këtë, ne kemi nevojë për paqe në Lindjen e Mesme dhe stabiliteti është kushti i domosdoshëm për çdo projekt që synon të rrisë prosperitetin më të madh të rajonit të madh në dobi të të gjithë vendeve të përfshira”, shtoi ai.
IMEC, një projekt shumëkombësh hekurudhor dhe detar midis Indisë, SHBA-së, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe BE-së, synon të lidhë Indinë me Lindjen e Mesme dhe Evropën për të rritur tregtinë, për të siguruar burime energjetike dhe për të zhvilluar lidhjet digjitale.
India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe javën e kaluar nënshkruan një marrëveshje kornizë ndërqeveritare për korridorin.
Mitsotakis po viziton Indinë me ftesë të Modit dhe do të jetë i ftuari kryesor në Dialogun Raisina, një konferencë shumëpalëshe që mbahet çdo vit në vend.
Kwatra tha se diskutimet midis dy liderëve u zhvilluan në kontekstin më të gjerë të “lidhjes më të fortë midis Indisë dhe Greqisë dhe për të parë të gjitha opsionet e mundshme që do të forconin këtë lidhje”.
Ai tha se IMEC është “një korridor i tillë që do të forconte këtë lidhje dhe u diskutua duke pasur parasysh rëndësinë strategjike që Greqia ka për sa i përket vendndodhjes, rëndësisë së saj dhe mënyrës se si Greqia mund të jetë partnere në korridor”.
“Do të duhej të fokusohej në portet që do të ishin pjesë e lidhjes së saj me këtë korridor. Diskutimet nuk ishin në një kornizë ekskluzive referimi. Ishin gjithëpërfshirëse dhe pozitive”, tha ai.
Sekretari i Jashtëm, duke iu përgjigjur një pyetjeje, tha gjithashtu se “radhitja e korridorit mbetet e pandryshuar deri tani”.
Mitsotakis është kreu i parë i qeverisë greke që viziton Indinë pas 15 vjetësh.
Vizita e fundit kryeministrore nga Greqia në Indi u zhvillua në vitin 2008.