Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se “Izraeli është në një pozitë shumë më të dobët tani për shkak të reagimit të tij çnjerëzor” në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Duke folur në një intervistë për transmetuesin La Sexta, ku u pyet nëse e konsideronte gjenocid atë që po bën Izraeli, ai u përgjigj: “Unë kam vizionin tim për atë që po ndodh. A i respektojnë ata të drejtat e njeriut në Gaza? Unë kam dyshimet e mia serioze”.
“Unë mendoj se çdo analist objektiv do të mendonte të njëjtën gjë. Shikoni vrasjen pa bërë dallim të civilëve, grave dhe fëmijëve, si dhe shkatërrimin e pakrahasueshëm të Gazës, që do të duhen dekada për t’u rindërtuar”, tha ai.
Duke iu drejtuar atyre që mbrojnë veprimet e Izraelit, kryeministri Sanchez shtroi gjithashtu pyetjen nëse dhuna dhe shkatërrimi pas 7 tetorit 2023 ia kanë vlejtur. Izraeli ka vrarë më shumë se 35.300 palestinezë që nga sulmi fillestar i Hamasit, ku sipas Tel Avivit u vranë 1.200 persona.
“A është Hamasi pak a shumë më i fortë se më parë? A është Izraeli pak a shumë më i sigurt tani sesa para sulmeve të 7 tetorit?” pyeti ai, duke ndarë mendimin e tij se Izraeli e ka vënë veten në një pozitë më të dobët.
Sanchez njoftoi gjithashtu se qeveria e tij nuk do ta njohë shtetin e Palestinës më 21 maj, siç ishte aluduar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.
“Është shtyrë sepse po koordinohemi për ta bërë këtë me vendet e tjera. Pres të mbyll detajet përfundimtare këtë fundjavë dhe të flas për këtë me kolegët e mi më pas”, shpjegoi ai.
Ai shtoi se më 22 maj, kur do të dalë në parlamentin spanjoll, planifikon të jetë në gjendje të shpallë datën e saktë kur Spanja dhe vendet e tjera të BE-së do të njohin Palestinën.
Deri më tani, vendet evropiane si Irlanda, Sllovenia, Norvegjia dhe Malta, janë zotuar të njohin Palestinën, edhe pse cilat mbetet e paqartë se vende mund të bashkohen në atë datë.
Sanchez theksoi se teksa shumë vende perëndimore besojnë në një zgjidhje me dy shtete, ata e kanë njohur Izraelin, por jo Palestinën.
“Pas gjithçkaje që ka ndodhur që nga 7 tetori, është e qartë se kryeministri izraelit nuk duket se është dakord me njohjen e Palestinës. Pra, vendet duhet të ‘marrin flamurin’ dhe të njohin Palestinën për të mbajtur gjallë idenë dhe për të hapur një horizont politik për bashkëjetesë paqësore midis Izraelit dhe Palestinës”, shtoi ai.