RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryeministri spanjoll sugjeron që BE-ja të rishqyrtojë marrëdhëniet me Izraelin

kryeministri-spanjoll-sugjeron-qe-be-ja-te-rishqyrtoje-marredheniet-me-izraelin

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) duhet të rishqyrtojë marrëdhëniet e saj me Izraelin nëse zbulohet se vendi po shkel ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat obliguese të Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu.

Duke folur për Al Jazeera, Sanchez tha se ka dyshime të qarta nëse Tel Avivi po i shkel ato ligje dhe rezoluta.

Irlanda dhe Spanja në bllokun evropian kanë kërkuar një diskutim të çështjes dhe pasi të përgatitet shpresojnë për një debat serioz në Komisionin e BE-së.

Gjatë gjithë intervistës, Sanchez ishte shumë kritik ndaj “luftës së tmerrshme në Gaza” dhe strategjisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu për të arritur sigurinë përmes luftës dhe jo diplomacisë.

“Në fillim, ne të gjithë ndjenim se solidariteti me vendin e sulmuar… por kjo përgjigje e pabalancuar dhe situata e tmerrshme në Gaza… po e vendosin Netanyahun në një situatë të vështirë dhe të izoluar në nivel ndërkombëtar”, tha Sanchez.

Ai theksoi se Spanja ka qenë e hapur për nevojën për një armëpushim dhe njohjen e shtetit të Palestinës për muaj të tërë dhe theksoi se një numër në rritje i vendeve të BE-së kanë filluar të miratojnë të njëjtin këndvështrim.

“Komuniteti ndërkombëtar në tërësi duhet të njohë anëtarësimin e plotë të Palestinës në sistemin e OKB-së dhe në mënyrë dypalëshe. Ky moment duhet të jetë i ndryshëm nga të tjerët që kemi parë gjatë shtatë dekadave të fundit”, tha ai.

Sanchez dënoi sulmin e fundit të Izraelit ndaj punonjësve të ndihmës në World Central Kitchen (WCK), duke e quajtur atë “të papranueshëm” dhe tha se kushtet për punonjësit e ndihmës në Gaza janë “jashtëzakonisht të rrezikshme”.

Ai po ashtu e kritikoi bombardimin e fundit të Izraelit ndaj konsullatës iraniane në Damask si “të papranueshëm” dhe diçka që kërkon sqarim.

“Ne duhet të shmangim një përshkallëzim të një konflikti në rajon”, tha ai.

Kryeministri spanjoll gjithashtu u pajtua me deklaratën e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, se vendet e shqetësuara me numrin e të vdekurve në Gaza, që ka kaluar 33 mijë, duhet t’i “sigurojnë më pak armë” Izraelit. Sanchez tha se Spanja ka ndaluar shitjen e armëve që nga fillimi i luftës.

Ai tha se pavarësisht kundërshtimit izraelit për një zgjidhje me dy shtete, komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet për të njohur të dy shtetet si të pavarura. Ai ndau gjithashtu pikëpamjen e tij se kontrolli mbi Gazën, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor duhet t’i jepet një Autoriteti Palestinez të autorizuar.

Sanchez ishte në Doha në kuadër të turneut të tij të dytë në Lindjen e Mesme që nga shpërthimi i luftës dhe vizitoi liderët e Jordanisë, Arabisë Saudite dhe Katarit për të diskutuar mënyrat për të rivendosur paqen në rajon.

Kryeministri spanjoll po ashtu tha se Spanja ka promovuar një konferencë ndërkombëtare të paqes që do të forconte zgjidhjen me dy shtete, një plan që është mbështetur nga vendet e BE-së, Liga Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islam.

Related posts

Fatkeqësitë klimatike në 50 vitet e fundit kanë shkaktuar më shumë se 2 milionë vdekje

rezart morina

Në PE evidentohet se Serbia e ka shkelur marrëveshjen duke votuar kundër Kosovës

admin

Paralajmërtimi i Kamala Harris: Muajt e ardhshëm do të jenë një betejë serioze

admin