Allahu është Pasaniku dhe nuk ka nevojë për krijesat tij, e as për adhurimet dhe nënshtrimet e tyre! Atij nuk i bën dobi nënshtrimi i atij që i nënshtrohet dhe nuk i bën dëm gjynahu i atij që i bën gjynah. Njeriu nuk lirohet asnjëherë nga fakti i të qenurit rob, do të bëhet rob i Allahut ose rob i dikujt tjetër. Ai nëse nuk është i kënaqur të jetë rob i Allahut, nevojat dhe lakmia, epshi dhe çdo gjë që i zbukurohet njeriut nga njerëzit dhe xhinët që të adhurohet jashtë Allahut, e robërojnë atë. Kjo na bën të qartë se të qenurit rob i Allahut, njerëzit i liron nga çdo robëri tjetër, deshën apo nuk e deshën atë, u pajtuan apo u hidhëruan me të.
Zemra nuk përmirësohet dhe nuk begatohet, nuk gëzohet dhe nuk qetësohet, dhe nuk ndjen ëmbëlsi vetëm se me adhurimin e Allahut dhe me të mbështeturit tek Ai. Nëse njeriu i shijon të gjitha kënaqësitë që i vijnë nga krijesat, zemra e tij nuk qetësohet dhe nuk rehatohet, ngase shpirti nga natyrshmëria e tij ndjen varfri për Zotin e vet, dhe e kërkon Atë që ta adhurojë dhe ta dojë. Njeriu vetëm në këtë mënyrë e arrin lumturinë, gëzimin, begatinë dhe qetësinë. Këtë rehati dhe qetësi shpirtërore, nuk mund ta jep askush tjetër përveç Allahut dhe robi gjithnjë është i varur nga realiteti: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”. (El-Fatiha: 5) Robit nëse i mundësohet t’i arrijë të gjitha ato që i do nga pasionet, epshet, kurse në anën tjetër nuk mund ta arrijë adhurimin e Allahut, atëherë nuk ka arritur gjë tjetër, përveç se dhembjes dhe humbjes dhe ndëshkimit.
Robi nuk mund t’u ik dhembjeve të dynjasë dhe mundimeve të saj, përveç se me sinqeritet në dashuri ndaj Allahut. Adhurimi i Allahut duhet të jetë fillimi i qëllimit dhe fundi i synimit të robit, dhe çdo gjë tjetër që e do, e do për hir të Tij dhe nuk do asgjë për vetveten. Nëse nuk arrihet kjo, atëherë robi nuk e ka realizuar realitetin e “la ilahe il-lAllah”.
Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e do lumturinë e përhershme, le të kapet për pragun e të qenurit rob i Allahut”.
Disa thanë: “Nuk ka rrugë më të afërt për kah Allahu, se sa të qenurit rob i Tij!”.
O robër të Allahut, Allahu adhurimet i lehtësoi shumë. Hajrit i bëri dyer, që të shkoj pas saj shumë lehtë ai që e do. Namazi është i lehtë për kryerje, mirëpo i rëndë në shpërblime. Pesë në numër, kurse pesëdhjetë në peshore. Është ligjësuar të falet në kohëra të ndryshme dhe të përshtatshme, me qëllim që të mos ndjehet lodhje, e sidomos nga ata që janë me shpirtra të dobët. Namazi me xhemat është më i mirë nga namazi i cili falet vet, për njëzet e shtatë gradë. Namazet vullnetare që i pasojnë ato detyruese dhe që në numër janë dymbëdhjetë, kush i fal ato i ndërtohet një shtëpi në Xhenet! Kur njeriu merr abdes dhe atë e plotëson, e pastaj thotë: “esh-hedu en la ilahe il-lAllah vahdehu la sherike lehu, ve esh-hedu ene Muhameden abduhu ue resuluhu, Allahume ixhalni minet tevabin ve ixhalni minel mutetahirin”, i hapen tetë dyert e Xhenetit, që të hyjë nga e cila të dojë. Lëmosha nëse jepet me sinqeritet dhe nxirret nga pasuria e fituar me hallall, Allahu e pranon me Dorën e Tij të djathtë dhe ia shton atij që e jep.
Nga mëshira e Allahut për robërit e Tij, është se atyre ua hapi dyert e afrimit, dhe adhurimit, dhe leximit të Kur’anit, dhe agjërimit, dhe lëmoshës, derisa e ndjen muslimani se, dyert e hajrit janë të gjëra dhe se mejdani i bamirësisë nuk është i përkufizuar vetëm se në një lloj nga llojet e nënshtrimeve. Kjo e bën që kuptimi i konceptit të adhurimit në Islam, të jetë i gjerë dhe gjithëpërfshirës, i cili i tejkalon kufijtë e adhurimeve dhe të përfshin madje edhe veprat, nëse në to përfshihet sinqeriteti dhe veprohet për ta kënaqur Allahu dhe për t’i ikur ndalesave të Tij.
Ky zgjerim e ka për qëllim që njerëzit t’i drejtojë drejt veprës së mirë dhe të hajrit, me qëllim që njerëzit të jenë të lumtur duke i ndihmuar njëri-tjetrit. Po të kishte qenë vetëm se adhurimi si mjet i vetëm për të arritur shpërblime, njerëzit nuk do të vepronin më dhe nuk do të bënin mirë.
Çdo vepër shoqërore të dobishme, Islami e konsideroi si adhurim nga më të mirat, përderisa synimi i atij që e vepron është hajri, e jo përmendja e veprës dhe lëvdata. Adhurimi nuk është thjesht largim nga jeta dhe të ndenjurit në xhami, po adhurimi në Islam u ligjësua të jetë realizuese e besimit dhe akides. Për këtë arsye të kuptuarit e konceptit të adhurimit në Islam, nuk u përkufizua vetëm se në rituale dhe adhurime të vazhdueshme, të cilat kryhen në vende të posaçme dhe mënyra të veçanta, e as në drejtim të një ane të caktuar, po adhurimi i përfshiu të gjitha sferat e jetës. Allahu tha: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës”. (El-Bekare: 177)
Jeta jonë e tëra është adhurim. Edhe puna është adhurim. Kur njeriu del nga shtëpia e tij me qëllim që të punojë dhe të shpenzojë për familjen e tij dhe t’u ndihmojë atyre, kjo konsiderohet adhurim. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur muslimani shpenzon për familjen e vet duke shpresuar shpërblim tek Allahu, për të është lëmoshë”.
Kërkimi i diturisë është adhurim, madje ajo është detyrim. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kërkimi i diturisë është detyrim për çdo musliman”.
Respektimi i prindërve dhe shoqërimi i mirë i tyre është adhurim. Argument është fjala e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili i tha njërit nga sahabëve, i cili shoi t’ia jep besën për hixhret dhe xhihad: “A e ke ndonjërin nga prindërit gjallë?”. I tha: Po, të dytë! – “A do të marrish shpërblim nga Allahu, e pyeti i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?!” I tha: Po! – “Atëherë kthehu tek ata dhe shoqëroi me sjellje të mirë, i tha I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të”.
Mbajtja e lidhjes farefisnore është adhurim. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Farefisi është i lidhur për Arshin (Fronin) e Allahut dhe thotë: Ai që më mban dhe më vazhdon, Allahu vazhdon lidhen me të, kurse ai që më shkëput, Allahu e shkëput lidhjen me të”.
Largimi i pengesave nga rruga është adhurim I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Në rrugë kishte pas ra një pemë e cila i pengonte njerëzit, dhe një njeri e largoi atë dhe hyri në Xhenet”.
Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kjo është argument se gjërat e lejuara shndërrohen në adhurime kur ju bashkëngjitet nijeti i sinqertë”.
O muslimanë, adhurimi është sistem gjithëpërfshirës për jetën e njeriut. Për këtë arsye kapja për vetëm se për një anë të adhurimit dhe anashkalimi i anës tjetrës, është gabim dhe bie në kundërshtim me udhëzimin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Transmetohet nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: Tre njerëz prej të afërmve erdhën në shtëpitë e grave të Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe pyetën për ibadetin (adhurimin) e Pejgamberit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e pasi morën përgjigje, atyre iu duk se kjo është pak dhe thanë: Ku jemi ne e ku është Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Allahu atij ia ka falur të gjitha mëkatet e mëparshme dhe ato të ardhshmet. Njëri prej tyre tha: Sa më përket mua, unë gjithnjë tërë natën do të falem, I dyti tha: Unë vazhdimisht do të agjëroj, I treti tha: Unë do të izolohem prej grave dhe kurrë nuk do të martohem.
Kur vjen Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u thotë: “A jeni ju që keni thënë këtë e këtë? Sa më përket mua, pasha Allahun e Lartë unë jam më i frikësuari dhe më i devotshmi ndaj Allahut se sa ju, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe flejë dhe bëj jetë bashkëshortore! Kush largohet nga Suneti im, nuk më përket mua”.
O robër të Allahut, përkujdesuni për ato mirësi që i bëni, që ato të jenë të vazhdueshme.
Nga shenjat e pranimit të pendimit dhe të veprave, është që robi pasi që i nënshtrohet adhurimeve, të jetë në gjendje më të mirë se sa ajo e mëhershmja. Po ashtu nga shenjat e pranimit të veprës është që pasi të përfundohet me një vepër të mirë, t’i jepet robit sukses që të vazhdojë me vepra tjera të mira.
Disa nga selefi thanë: “Shpërblimi i të mirës është veprimi i një të mirës pas saj, kurse shpërblimi i të keqes është veprimi i një të keqes pas saj”.
Vazhdimësia në veprimin e veprave të mira aludon në lidhjen e zemrës me Krijuesin e vet, duke i dhënë fuqi dhe stabilitet dhe lidhje me Allahun.
Vazhdimësia në veprimin e veprave të mira është nga veprat më të dashura tek Allahu, ashtu edhe si erdhi në hadithin e shenjtë: “Robi Im nuk më afrohet në mënyrë tjetër më të dashur tek Unë, përveç duke i kryer farzet (obligimet e domosdoshme). Ai vazhdon të më afrohet edhe më tepër me anë të veprave vullnetare, që e shton edhe më tepër dashurinë Time ndaj tij…”.
Nga udhëzimi i të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte vazhdimësia në adhurime. Përcjell Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se kur i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vepronte një vepër e përforconte atë, kur natën flinte dhe nuk mundej të falte namaz nate apo sëmurej, atëherë ditën i falte nga dymbëdhjetë rekate vullnetare.
Shejh Dr. Abdulbarij Thubejti
Nga arabishtja: Irfan JAHIU