Një nga figurat më të spikatura të kohës sonë, e cila me objektivizëm tejet të rafinuar i qaset kulturës islame, pa dyshim se është Karen Armstrong, e cila përfaqëson një frymë të re kozmopolite dhe integruese, që u pasua dhe vazhdon të pasohet nga mendjet më të ndritura e vizionare të Lindjes e të Perëndimit, duke materializuar një frymë universale të integrimit të vlerave.
Hyrje
Botëkuptimi i botës perëndimore ndaj kulturës, qytetërimit dhe besimit islam në përgjithësi, gjatë periudhave të ndryshme ka ndryshuar, varësisht nga niveli i zhvillimit të mendimit njerëzor, por edhe nën ndikimin e raporteve Lindje-Perëndim, të cilat jo rrallëherë kanë qenë të tensionuara dhe të indoktrinuara politikisht.
Evroperëndimorët në raport me Islamin kanë pasur dy lloje të botëkuptimeve: i pari injorues dhe përçmues deri në nihilizëm, dhe i dyti respektues dhe vlerësues.
Me botëkuptimin e dytë, shihet mundësia e integrimit të kulturave duke plotësuar njëra-tjetrën, e jo përplasja dhe dominimi ndaj tjetrit.Ky qëndrim qytetërues, fisnik dhe vizionar i ka fillimet që me Gëten. Që atëherë, vazhduan idetë për thellimin e bashkëpunimit ndërkulturor për të respektuar tjetrin mbi baza reale, larg nga shpifjet dhe gënjeshtrat. Krishterët duhet t’i respektojnë vlerat e myslimanëve si: Kuranin dhe Muhamedin a.s., ashtu si e respektojnë myslimanët Isaun a.s., dhe librat e shpallura para Kuranit.
Në mesin e studiuesve evropianoperëndimorë të historisë dhe qytetërimit islam, shquhet një grup autorësh, të cilët edhe pse mund të futen në grupin e orientalistëve, nuk janë mirëfilli të tillë. Një nga figurat më të spikatura të kohës sonë, e cila me objektivizëm tejet të rafinuar i qaset kulturës islame, pa dyshim se është Karen Armstrong, e cila përfaqëson një frymë të re kozmopolite dhe integruese, që u pasua dhe vazhdon të pasohet nga mendjet më të ndritura e vizionare të Lindjes e të Perëndimit, duke materializuar një frymë universale të integrimit të vlerave. Ajo i ka trajtuar çështjet jo vetëm në mënyrë të saktë e të paanshme, por madje mund të thuhet edhe me simpati e me një dashamirësi që nuk kërkohet të fshihet fare.
Çka paraqet ky punim?
Ky punim synon të paraqes në pika të shkurtra qëndrimet e Armstrongut rreth Kuranit, të cilat i ka regjistruar në formë të librave, dokumentarëve televiziv apo intervistave, të cilat paraqesin një kontribut sa të rëndësishëm për botën perëndimore që ta njohin Islamin përmes gjuhës së tyre, po aq edhe për botën islame që të shohin një dritë në fund të tunelit, në perëndimin e kontaminuar nga vlerësimet subjektive dhe imperialiste ndaj Islamit.
Biografi e shkurtër e Karen Armstrongut
Autorja Karen Armstrong, e cila është e respektuar nga të gjithë, si një studiuese objektive dhe e paanshme e fesë,(1) lindi më 14 nëntor 1944, në Wildmoor të Anglisë nga një familje irlandeze.
Është një autore dhe komentuese e njohur në librat e saj për krahasimin mes feve dhe Islamit.
Karen Armstrong ishte murgeshë katolike romane për shtatë vite, që nga mosha 18 vjeç, para se të largohej nga rendi i saj për shkak të zhgënjimit nga abuzimet fizike dhe psikologjike në manastir, për të studiuar gjuhën angleze në kolegjin “Shën Anne” të Oxfordit. Pas diplomimit vijoi studimet në PhD mbi poetin e njohur britanik Tennyson, dhe pasi shkroi disertacionin e saj në temën që ishte miratuar nga komisioni universitar, nuk arriti ta mbrojë, me arsyetimin e ekzaminerëve të jashtëm, se tema ishte e pa përshtatshme. Armstrong nuk ka protestuar zyrtarisht për këtë vendim, dhe as që filloi temë të re, por në vend që të braktis shpresën për një karrierë akademike, ajo u ballafaqua me një periudhë tjetër në jetën e saj që u shënua nga gjendja e keqe shëndetësore, si shkak i përjetimeve të saj jetësore dhe u diagnositifikua me epilepsi.(2)
Në vitin 1993, ajo u bë e njohur me librin e saj “Një Histori e Perëndisë: 4000 vjet në kërkim të Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit”. Puna e saj fokusohet në pikat e përbashkëta të feve të mëdha, të tilla si rëndësia e dhembshurisë dhe “Rregullit të Artë”(3)
Sot është njëra prej teologeve më autoritative, autore e shumë shkrimeve mbi religjionet botërore dhe themeluesit e tyre.(4)
Kontributet e saj
– Është njëra prej 80 anëtarëve udhëheqëse të iniciativës “Aleanca e Civilizimeve”, të cilën e ka emëruar ish-sekretari i OKB-së Kofi Anan, qëllimi i së cilës është lufta kundër ekstremizmit dhe forcimi i dialogut në mes të perëndimit dhe botës islame.(5)
– Në vitin 1976 Armstrong filloi të punoj si mësimdhënëse e gjuhës angleze në një shkollë dhe krahas asaj edhe shkruante një biografi të përvojës së saj në manastir, e cila u botua në vitin 1982.(6)
– Po atë vit ajo nisi një karrierë të re, si shkrimtare dhe prezantuese e pavarur, kurse në vitin 1984, televizioni britanik “Channel Four” e angazhoi për të shkruar dhe për të prezantuar një dokumentar televiziv mbi jetën e Shën Palit, gjë që ia mundësoi të vizitoj edhe Palestinën dhe Kudsin, për të përfituar një përvojë të re dhe mjaft interesante për historinë e të tri feve qiellore dhe një frymëzim për gjithë punën e saj të më vonshme.
Në librin e saj “Historia e Perëndisë”, e përkthyer tashmë në më shumë se tridhjetë gjuhë,(7) ajo përshkruan evolucionin e tri traditave më të mëdha fetare në ditët e sotme, që nga fillimet e saj, gjithashtu diskuton edhe për Hinduizmin dhe Budizmin. Më vonë boton edhe librin “Jerusalemi: Një qytet, tri besime”. Ajo vazhdon të paraqitet edhe në shumë programe televizive, radio dhe publikime në revistat më të njohura britanike, në trajtim të historisë së besimit dhe kodifikimit të feve të mëdha në periudhën e njohur si ” Axial Age” nga filozofi Karl Jaspers.(8)
– Ajo ishte anëtare e “Seminarit të Jezusit”, një ekip studiuesish që bënin përpjekje për të hetuar themelet historike të krishterimit.
– Këshilltare për çështje fetare pranë PBS (distribut or i programeve televizive në Virgjinia) ku kishte prodhuar edhe serinë dokumentare “Muhamedi: Trashëgimia e një Profeti”(9)
– Në vitin 2007, Këshilli Fetar Islam i Singaporit e ka ftuar Armstrongun për të dhënë leksion në MUIS.
– Armstrong, ka dhënë mësim në kolegjin “Leo Baeek”, një kolegj rabinit dhe qendër për edukim hebraik të vendosur në veri të Londrës, ajo thotë se ka qenë e frymëzuar sidomos nga tradita mbi praktikën dhe besimin hebre.
_______________
(1) Edukata Islame, Revistë shkencore, kulturore islame tremujore, Viti XXXVI nr. 83 j 2007, Mr. Qemajl Morina, “Origjina e fundamentalizmave”, fq.5.
(2) www.alukah.net (27.03.2016).
(3) Rregulla e Artë, ose etika e reciprocitetit është një parim moral apo parimi i altruizmit që gjendet në shumë kultura njerëzore dhe tek fetë, duke sugjeruar se mund të jetë e lidhur me natyrë themelore të njeriut. (A Dictionary of Philosophy. London: Pan Books in association with The MacMillan Press, fq.134).
(4) www.islamgjakova.net, Intervistë me Karen Armstrong botuar në revistën “Islamica”, “Ndarjet në botën tonë nuk janë rezultat i religjioneve”, Intervistoi Andrea Bistrich.
(5) Po aty.
(6) www.britannica.comjbiographyjKaren-Armstrong.
(7) Karen Armstrong, Islami një histroi e shkurtër, Logos-A, Shkup, 2011, fq.4.
(8) www.encyc1opedia.comjdocjl0101-Axialage.html.
(9) www.youtube.comjwatch?v=bBCEzlkKUBU.
Bashkim Mehani
Dituria Islame 312