Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e kryeministrit, temë e diskutimi ishte progresi në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin.
Kryeministri kujtoi rëndësinë që para samitit të radhës të fillojë zbatimi i marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Kryeministri theksoi se më 16 maj në Kotor të Malit të Zi, Kosova kërkoi që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar, kërkesë kjo që u bë pjesë e deklaratës së përbashkët të lëshuar në Kotor, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhet se Procesi i Berlinit është platforma ku angazhoheni për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik.
Tregu i Përbashkët Rajonal i dalë nga Procesi i Berlinit së bashku me Planin e Rritjes janë mundësi për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe shpejtimin e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është proaktive dhe kontribuese e këtij procesi të rëndësishëm, përfundon njoftimi. /Telegrafi/
The post Kurti e Sarrazin flasin për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës first appeared on Radio Televizioni Iliria.