Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur takim koordinues të radhës me ministrat dhe zëvendësministrat si dhe kryetarët e komunave, raporton Anadolu.
Me qëllim të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional mes Qeverisë dhe Pushtetit Lokal, në këtë takim u diskutuan tema me interes për nivelin lokal të cilat janë prezantuar nga Agim Aliu kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) si dhe iniciativat e Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti tha se diskutimi synon përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se krahas bashkëpunimit në fushën e mjedisit, bashkëpunimit të efiçiencës të energjisë në kuadër të pakos 75 milionëshe për përballje me krizën energjetike, është lajm i mirë për të gjithë kandidimi i Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 për të përmirësuar infrastrukturën publike.
“Para tre jave komisioni i granteve, mbajti një takim të rëndësishëm në të cilin u miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026. Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë kësaj qeverisje, sesa asaj të mëparshmes”, theksoi Kurti.
Kryetari Asociacionit të Komunave të Kosovë (AKK), njëherësh kryetar i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i ka shpalosur disa nga sfidat me të cilat po përballen komunat.
Ai tha se komunat janë gjendur në situata të pakëndshme në disa raste, sikurse tek çështja e shtrenjtimit të tatimit në pronë, sepse “një kompetencë e tillë nuk i takon komunave e ku përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës, u jemi drejtuar me kërkesën për pezullimin e vendimit”.
Aliu tha se sa i përket të hyrave vetanake janë të theksuara pakënaqësitë e komunave në raport me këtë temë për të cilat tha se edhe kanë reaguar si asociacion i komunave.
“Kemi kërkuar që të hyrat vetanake të komunave t’u barten komunave në pajtim me vendimmarrjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, po ashtu që të gjitha fondet e pashpenzuara të komunave të mbeten dhe barten tek buxhetet përkatëse komunale, e që kujtojmë se një gjë e tillë është plotësisht në harmoni ligjore e në kuadër të kompetencave menaxhuese të nivelit lokal”, theksoi Aliu.
Në këtë takim të kryeministrit Kurti, nga kryetarët e rinj të komunave veriore me shumicë serbe ka marrë pjesë vetëm Erden Atiq, kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut nga partia Lëvizja Vetëvendosje.