Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të kontrollojnë progresin demokratik dhe reformat e BE-së duke shtuar që politikat të bazohen në këto të dhëna, raporton teve1.info
Sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti këto deklarime i bëri nga Kotori i Malit të Zi, ku po merr pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Kurti ishte gjithashtu pjesë e panelit të parë të diskutimit, me temën “Gjendja aktuale dhe planet e ardhshme – Plani i ri i rritjes”.
“Në adresimin e tij fillestar, ai tha se teksa diskutohet rruga drejt anëtarësimit në BE, progresi i Kosovës duhet njohur e pranuar. Ai ritheksoi rëndësinë e ndërlidhjes së fondeve e financimin nga BE-ja me respektimin e vlerave të BE-së. Nga ky samit, përmes fjalës së tij, kryeministri i bëri thirrje BE-së që të monitoroj progresin në Ballkanin Perëndimor për sa i përket progresit demokratik dhe reformave të BE-së, dhe më pas të bazojë politikat e saj mbi ato të dhëna. Duke folur për përparimin që Kosova ka shënuar në agjendën e reformave të Planit të Rritjes, ai tha vendi ynë është afër përmbushjes së kësaj agjende e cila përbëhet nga pesë fusha të politikave me 32 reforma në 17 sektore”, thuhet në komunikatë.