RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kurti për Rregulloren e BQK-së: Periudha e tranzicionit s’duhet të keqinterpretohet si sulm

kurti-per-rregulloren-e-bqk-se:-periudha-e-tranzicionit-s’duhet-te-keqinterpretohet-si-sulm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklarim të tij pas reagimeve të ndërkombëtarëve në lidhje me rregulloren e re të BQK-së, ka bërë thirrje që të gjithë ata që kanë “investuar në prosperitetin e vendit tonë të mundësojnë një tranzicion të qetë të masave demokratike”.

Kurti ka thënë se e kupton se çështja ka mundur të komunikohej më qartë për t’i evituar konfuzionet dhe ka thënë se e di se duhet një periudhë tranzicioni. Kurti ka thënë se periudha e tranzicionit s’duhet të keqinterpretohet si sulm.

“Ndryshimi gjithmonë sjell vështirësi, edhe nëse ndryshimet forcojnë demokracinë. Por një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik. Kjo periudhë ndryshimi bëhet më e vështirë jo përmes zërave të komunitetit serb këtu, por përmes nxitjes së frikësimit, kur ne, në fakt, do të duhej të ushtronim maturi dhe qetësi. Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur. Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë. Është mendimi i të gjithëve që e duan Kosovën, që jemi në progres dhe ka progres për t’u realizuar. Në këtë rrugëtim, veprimet tona gjykohen mbi dy baza: (1) qëllimet dhe (2) shkronja e ligjit. Një veprim që synon të forcojë demokracinë duke zbatuar ligjin, duhet të interpretohet për atë çka është. Ndërsa vendi ynë është duke u rritur në fuqinë e vet demokratike, atij me gjasë do t’i duhen ca përshtatje. Për palët e shumta që janë fuqishëm të investuara në prosperitetin e vendit tonë, të njëjtën e inkurajoj: përshtatjet le të ndodhin, që të arrijmë hapin tjetër, drejt të cilit të gjithë punojmë me zell”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se rregullorja e re e BQK-së nuk shënjestron dinarin e Serbisë.

“Banka Qendrore ka kërkuar, me të drejtë, që transaksionet joformale që kryhen në Dinarë të Serbisë të formalizohen; prandaj, ekzistenca dhe vazhdimi i tyre kishin qenë të kundërligjshme. Monedha zyrtare e Kosovës është Euro dhe rregullorja vjen thuajse 16 vjet pas deklarimit tonë të pavarësisë. Ky vendim është përgjegjësi themelore e Bankave Qendrore, duke synuar rregullimin e hyrjes së monedhave të huaja brenda territorit. Mungesa e një rregulloreje të tillë mund të rezultojë në shpëlarjen e parasë, financimin e terrorizmit dhe aktivitete të tjera të kundërligjshme. Në këndvështrimin praktik, ky vendim nënkupton se pagesat e marra nga serbët e Kosovës janë ende të lejueshme, por do të deponohen në llogaritë e tyre me Euro. Natyrisht, posedimi privat i monedhave të huaja mbetet i lejueshëm”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se gati 35 për qind e komunitetit serb në Kosovë marrin pensione nga Qeveria e Kosovës në llogaritë e tyre Euro. Ai ka thënë se këto llogari mund të përdoren edhe që pensionet që marrin nga Serbia të transferohen atje.

“Qeveria jonë shpërndan para publike në formë të subvencioneve dhe mjeteve të tjera për mbrojtje sociale, të cilat janë marrë njëkohësisht nga komuniteti serb në llogaritë e tyre bankare në Euro, ka dëshmi të forta se këto llogari bankare kanë përdorim të gjerë. Pothuajse 35% e komunitetit serb në Kosovë marrin pensione nga Qeveria jonë në llogaritë e veta në Euro. Pensionet që marrin nga Serbia mund të transferohen në të njëjtat llogari, si plotësim dhe jo si zëvendësim të skemave ekzistuese të përfitimeve. Përveç degëve bankare zyrtare, ka 15 institucione të tjera financiare ku pensionet nga Serbia mund të ndahen, në mungesë të llogarive bankare. Për më tepër, hapja dhe mirëmbajtja e llogarive të reja bankare në Euro do të jenë pa pagesë. Përpjekjet tona të vazhdueshme synojnë ta thjeshtësojnë këtë proces. Periudha e tranzicionit ka filluar tashmë dhe përpjekjet e përbashkëta do të sigurojnë shpejtësinë dhe lehtësinë e saj”, tha Kurti.

Related posts

Popullsia në Serbi: 760 mijë qytetarë më pak se në vitin 2011

admin

Sulmohet karvani i “Mjekëve pa kufij” në Gaza, një i vdekur

rezart morina

SHBA-ja me pako të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe rajonin

admin