RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kurti për situatën në veri: Koordinohemi me ndërkombëtarët, por s’mund t’i trajtojmë si ministra

kurti-per-situaten-ne-veri:-koordinohemi-me-nderkombetaret,-por-s’mund-t’i-trajtojme-si-ministra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në Kuvendin e Kosovës për situatën e tensionuar në veri, të krijuar si pasojë e tentimit të organizimit të zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore ku kryetarët kanë dhënë dorëheqje.

Veprimet e shtetit të Kosovës në funksion të organizimit të zgjedhjeve janë përcjellur edhe me shpërthime në zyrat e Komisionit Lokal të Zgjedhjeve, ndërsa mbrëmë është plagosur një polic si pasojë e të shtënave më armë zjarri.

Kurti ka thënë se policia e Kosovës nuk bën dallime etnike, fetare ose të tjera, por gjykon sipas sjelljeve dhe veprimeve individuale e grupore.

Gjithashtu, ai ka përmendur se veprimet e shtetit të Kosovës janë obligime e përgjegjësi që dalin nga Kushtetuta dhe Ligji.

“Policia e Kosovës, organet e tjera të sigurisë, asnjëherë nuk ndjekin, përndjekin, vëzhgojnë dikë në baza etnike, fetare apo të tjera, por vetëm sipas sjelljeve dhe veprimeve individuale ose grupore. Policia e Kosovës nuk është e drejtuar, nxitur, orientuar kundër serbëve. Përkundrazi, ka një konsideratë shtesë për serbët e Kosovës, pikërisht për shkak të keqinterpretimeve që mund të bëhen nga fqinji ynë verior. Mirëpo në të njëjtën kohë, ne kemi obligime e përgjegjësi që dalin nga kushtetuta e ligji. Kur japin dorëheqje kryetarët e komunave në veri, ka obligime kushtetuese e ligjore dhe gjithashtu ka detyra për zyrtarët e shtetit. Presidentja duhet të konsultojë krerët e partive politike, duhet të caktohet një datë. Nuk janë vendime dhe veprime politike këto, janë vendime dhe veprime shtetërore që i sheh kushtetuta e ligji.”, tha Kurti.

Ai ka thënë se opozita duhet të kontribuoj edhe me mbështetje publike por edhe me ide konkrete për këtë situatë, por gjithashtu ka thënë se nuk mund të bëhet më pak në këtë situatë.

“Andaj natyrisht që unë plotësisht e njoh, e mirënjoh, e respektoj të drejtën për kritikë ndaj qeverisë dhe kryeministrit, por duhet ta kuptoni se shumëçka për të mos thënë gjithçka që po ndodh është çështje e shtetit të Kosovës dhe ne përpiqemi me aq çka mundemi e dimë të jemi në shërbim të kësaj, të jemi në krye të detyrës si zyrtarë shtetërorë dhe për këtë është mirë që të kemi mbështetjen tuaj edhe publike edhe me ide konkrete sepse besoj qëllimin e kemi të përbashkët. Unë kurrë nuk i barazoj serbët, pavarësisht se çfarë bëjnë e thonë. Beogradi zyrtar e ka kuptuar që nuk po mund t’i ndaj serbët dhe shqiptarët në shpjegimin e situatës në Kosovë, përditë serbët e shqiptarët takohen në Kosovë, bashkëpunojnë, tregtojnë, komunikojnë. Dhe çfarë po përpiqen tash? Ta ndajnë në serbët në veri dhe në jug, sepse logjika e tyre është territoriale dhe hegjemonia, por as kjo nuk po ndodh.”, tha Kurti.

Në fund, ai është shprehur se janë në koordinim me ndërkombëtarët, por nuk mund t’i trajtojë ambasadorët e huaj si ministra.

“Një serb në Graçanicë, qytetar i rëndomtë dhe një tjetër në Zveçan nuk kanë dallim. E vërteta duhet të jetë publike dhe ne do të konfrontohemi me të gjithë që duan ta deformojnë ata. Ndoshta ka ide të tjera çfarë mund të bëjmë më shumë, por mendoj se është gabim të bëjmë më pak. Vazhdimisht jemi në kontakt me faktorët ndërkombëtarë, por mos harroni edhe ata presin të jemi në krye të detyrës. Ambasadorët e QUINT-it nuk janë ministra. Ministrat shkojnë e vijnë, por shteti mbetet. Bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarë nuk mund të bëhet kur ne i trajtojmë ata si ministra e ne bëhemi zëvendësa të tyre sepse as ata nuk e duan këtë.”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu ka folur edhe për presidentin e SHBA-ve, Joe Biden duke thënë se ai e konsideron korrupsionin rrezik për sigurinë nacionale.

“Presidenti Biden e ka thanë shumë qartë me ta marrë detyrën. Korrupsioni është rrezik për sigurinë nacionale. Dhe këtë, duhet ne ta mishërojmë me sjelljet dhe veprimet tona. Ku ka korrupsion, ka hallkë të dobët në zingjirin e funksionit të organizmit demokratik.”, tha Kurti.

Në fund, Kurti tha se përpjekja e Beogradit është që të ndajë Kosovën në një situatë ku dallimi etnik shkakton konflikt.

“Përpjekja e Beogradit është që ta ndajë Kosovën në një situatë ku dallimi etnik shkakton konflikt. S’është e vërtetë. Në këtë Kuvend, ka pasë deputetë serbë, asnjë incident fizik. Fakti i dallimit etnik, s’është garantues i konfliktit. Ne duhet ta dëshmojmë përditë që kjo është e vërteta. Pse dallojmë, ne nuk luftojmë. Po dëshirojnë që serbët në jug, si puna e Rashiqit, t’i shpallin tradhtarë, shqiptarë e kështu me radhë. Ky është plani B i tyre, por qysh ka dështu plani A i tyre, do të dështojë edhe plani B.”, tha Kurti.

Related posts

Osmani takon ambasadorin gjerman, flasin për zhvillimet e fundit në veri të vendit

rezart morina

Samiti dyditor i Bashkimit Evropian në Bruksel, ja cilat do të jenë temat kryesore që do të diskutohen

admin

Analiza e The Guardian: Serbia përgatit mirëseardhje të ngrohtë për Xi-n, në kontrast me tensionet Kinë-BE

admin