RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kurti: Po japim kontribut që ta zbusim hendekun mes kërkesës dhe nevojës në biznese

kurti:-po-japim-kontribut-qe-ta-zbusim-hendekun-mes-kerkeses-dhe-nevojes-ne-biznese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar të enjten një bashkëbisedim me bizneset nga sektori i drurit dhe mobileve për identifikimin e profileve të nevojshme të arsimit dhe aftësimit profesional kundrejt nevojave të tregut të punës, duke thënë se janë duke punuar që ta zbusin hendekun mes kërkesës dhe nevojës në biznese.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari si dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Sipas njoftimit, Kurti konsideron se një ndër shtyllat e zhvillimit ekonomik të vendit, është ndërlidhja e arsimit dhe aftësimit profesional në tregun e punës. Sipas kryeministrit, çështja është se si të bëjmë “që për diplomat në shkollat tona të kemi vende pune në ekonominë tonë dhe për këtë e kemi përgjegjësinë edhe sektori publik dhe ai privat”.

“Ka numër të madh të rasteve në Kosovë ku bizneset kanë më shumë nevojë sesa që ka kërkesë. Qeveria përmes politikave të saj të jap kontributin e saj në zbutjen e këtij hendeku, sepse e kemi vërejtur që sa herë flasim për ekonominë përfundojmë duke folur për arsimin, dhe sa herë flasim për arsimin përfundojmë duke folur për ekonominë. Andaj, kemi arritur në përfundimin që e vetmja gjë më e rëndësishme edhe se ekonomia edhe se arsimi, është lidhja mes këtyre dyjave”, ka thënë Kurti.

Në bashkëpunim të ngushtë me odat ekonomike e tregtare, me shoqatat sektoriale dhe me ndërmarrjet aktive, sipas njoftimit, kryeministri theksoi se këtë vit ka filluar pilotimi i programeve të arsimit dual sipas modelit gjermanofolës në Evropë.

“Këtë vit shkollor, arsimi dual ka filluar në katër shkolla profesionale, në tri komuna, me katër profile: kuzhinier, floktar, murator dhe asistent i mikpritjes hoteliere. Bazuar në suksesin e këtij pilotimi, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, KIMERK dhe ShPDK, pra Klasteri i Industrisë, Metalit dhe Energjisë së Ripërtëritshme të Kosovës dhe Shoqata e Përpunuesve të Drurit, ka punuar drejt zgjerimit të aftësimit dual me tetë profile shtesë dhe ka filluar përgatitjet për të mbështetur shkollat gjatë zbatimit. Sipas interesimit të shprehur nga vetë komunat dhe shkollat, në vitin shkollor 2023/2024, në 21 shkolla profesionale, në 13 komuna do të ofrohen tetë profile shtesë: rrobaqepës, automekanik, përpunues i metalit, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregtar me shumicë dhe pakicë, estetist. Këto janë tetë profilet shtesë, të cilat po i bashkëngjisim atyre katër ekzistues”, thuhet tutje në njoftim.

Duke iu referuar studimeve të mëhershme, Kurti shtoi se në ndërmarrjet prodhuese në Kosovë më pak se 5 për qind e punëtorëve aftësohen brenda muajit të parë, duke lënë të nënkuptohet se 95 për qind plus të punëtorëve të ndërmarrjeve prodhuese, u duhet më shumë se një muaj që të aftësohen për punën që duhet ta bëjnë.

“Kjo është një kosto për bizneset tona, dhe rrjedhimisht dhe kjo është arsyeja pse ne dëshirojmë që si shtet ta marrim barrën e kualifikimit sa më të mirë të fuqisë punëtore”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Rozeta Hajdari, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, iu drejtua përfaqësuesve ndërmarrës duke vlerësuar se Qeveria me ndihmën e tyre ka arritur hartimin e strategjisë e cila do të bëjë që “industria jonë të jetë më e integruar globalisht, e aftë dhe të prodhojë produkte më vlerë të shtuar, duke theksuar se MINT do ta ndihmojë MAShTI-in për identifikimin e profileve të nevojshme për zhvillim më të shpejtë industrial”.

“Ne ju falënderojmë që me ju, me imputet e tuaja kemi gjetur jo vetëm vizionin e qartë për transformim industrial deri në vitin 2030, por edhe vullnetin e juaj për të kontribuar në arsimin dhe aftësimin dual”, shtoi ministrja Hajdari.

Ndërkaq, ministrja Nagavci ka thënë se vitin e kaluar për herë të parë ka filluar “implementimi i sistemit dual të mësimit në katër profile që nënkupton se 51%, pra gjysmën e kohës, gjatë tri vjetëve nxënësit do ta kalojnë në biznese dhe se për të qenë të suksesshëm në implementimin e mësimit dual është tejet e rëndësishme bashkëpunimi i ngushtë me kompanitë, me bizneset ku ne do t’i kemi fëmijët tanë në 51% të kohës”.

Ministrja bëri të ditur se përveç me ministritë tjera të linjës kanë bashkëpunuar ngushtë edhe me Qeverinë, odat, shoqatat sektoriale e drejtoritë komunale të arsimit.

Pas këtij takimi, Kurti do të mirëpresë për një bashkëbisedim edhe përfaqësues të bizneseve nga sektori i ushqimit dhe pijeve.

Related posts

Blinken: Që nga 7 tetori, islamofobia dhe antisemitizmi u rritën ndjeshëm

admin

“Zonjën Daniels e kam parë në katin e 26-të të Kullës Trump, ku gjendet zyra e tij”- Zbardhen dëshmitë në gjyq, botuesi: Si përpoqa ta ndihmoja ish-Presidentin të fitonte zgjedhjet në vitin 2016

admin

“Patëm një diskutim të mirë”, Escobar flet pas takimit me Kurtin: Kryeministri më premtoi se…

admin