Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur falënderim ndaj partnerëve që me votat e tyre i dhanë sot mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Kosova tashmë ka statusin e anëtarët të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, transmeton Telegrafi.
“Me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës sonë tash ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë”, ka pohuar ai.
Më tej, kryeministri ka përgëzuar të gjithë zyrtarët e shtetit që punuan për këtë arritje, si dhe ka uruar qytetarët e Republikës.
“Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, u shpreh kryeministri.
Kosova deri tash ka qenë anëtare vëzhguese, ndërkaq nga votimi i sotëm do të jetë anëtare e asocuar./Telegrafi/
The post Kurti: Sofja, sikurse para 25 viteve u bë vendtakimi ku Kosova bëri një hap të rëndësishëm drejt NATO-s first appeared on Radio Televizioni Iliria.