Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se imazhin i Kosovës tani është më i mirë se asnjëherë më parë.
“Në 15 vjetorin e pavarësisë, ne festojmë me gëzim për sukseset dhe të arriturat, dhe në të njëjtën kohë, edhe me dhembje dhe pikëllim për çmimin e lartë që kemi paguar, edhe për çlirimin, edhe për pavarësimin e vendit tonë, duke kujtuar ata që sakrifikuan dhe kontribuuan. Kosova njihet nga 117 vende anë e mbanë botës dhe sot imazhi i Kosovës në botë është më i miri prej se e kemi shpallur pavarësinë”, ka thënë Kurti në një intervistë për DW.
Ndër të tjera, ai ka thënë se Qeveria e tij ka arritur suksese të mëdha në luftimin e krimit dhe korrupsionit.
“Në dy vitet e fundit kemi avancuar 20 vende sa i përket luftimit të korrupsionit, sipas organizatës prestigjioze ndërkombëtare “Transparency International”, për herë të dytë jemi të parët në Ballkan, sa i përket sundimit të ligjit, sipas “World Justice Project” dhe gjithashtu kemi avansuar 17 vende sa i përket lirisë së medias. Rritje ekonomike katër për qind pasi që të hiqet inflacioni, eksportet janë rritur për 23 për qind, të hyrat tatimore 22 për qind, buxheti për 17 për qind dhe investimet e huaja për 44 për qind”, është shprehur Kurti.