Shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar ndaj shefit të deputetëve të PDK-së në lidhje me mos-arrestimin e Milan Radoiçiqit.
Ajo përmes një reagimi në Facebook ka shkruar se e gjitha kjo po ndodh për shkak të shtrirjes së sovranitetit në çdo cep të vendit.
“Në pamundësi të abuzimit me pushtet, në dëshpërim total nga shtrirja e sovranitetit të shtetit në çdo cep të vendit, përfshirë veriun, që dikur ishte i paketuar për t’ju dhuruar Vuçiqit, po vazhdohet me shpifje e dezinformata ndaj Qeverisë së Kosovës dhe pozitës në Kuvend”.
“Në linjën e dezinformatës, është edhe ky reagim i Abelard Tahirit, shefit të deputetëve të PDK-së ndaj konferencës së Kryeministrit Kurti, në të cilën u treguan planet e Radojqiqit për sulm të ri ndaj Kosovës”, ka shkruar Kusari-Lila.
E para e deputetëve të LVV-së thotë se Tahiri nuk e tha asnjë fjalë për përpjekjet e Radoiçiqit për cenimin e sigurisë së vendit.
“Reagimi i Abelard Tahirit, është me shpifje dhe dezinformata për zyrtarë të shtetit dhe sulmin në Banjskë, përfshirë ikjen e Radojqiqit. Por as edhe një fjalë apo reagim ndaj përpjekjeve të kriminelit Radojqiq për cenim të sovranitetit dhe sigurisë së vendit”.
Kusari-Lila ka thënë se përdorimi i emrit të saj në deklaratën e Tahirit është abuzim dhe keqinformim.
“Edhe referenca në “aferën” të cilën pa sukses u mundua ta kapitalizojë PDK, është abuzuese dhe keqinformuese”.
“Përgjimet e jashtëligjshme të cilat u inçizuan në Maj të 2022-tes, u përdoren në Korrik të 2023-tes, në një përpjekje për t’a rrëzuar Qeverinë Kurti nga eksponentë të PDK dhe sipas rrjedhës së ngjarjeve me asistim direkt nga Lista Serbe, 14 muaj pasi këta të fundit ishin larguar nga Kuvendi në pamundësi të arritjes së çfarëdo arranzhmani me Qeverinë Kurti”.
Ajo thotë se PDK e Lista serbe kanë të njëjtin qëllim.
“Se e kanë qëllimin e njëjtë mes vete, e tregon edhe kjo retorikë e përfaqësuesit të PDK-së. As edhe një fjalë e vetme për përpjekjet e Serbisë dhe Vuçiçit përmes Radoiqiqit për sulm ndaj Kosovës, por plot gojën e kanë me sulme e shpifje ndaj Qeverisë së vendit”.
Për fund shefja e deputetëve të LVV-së, ka paralajmëruar padi ndaj Tahirit.
“Për këto dezinformata dhe abuzim të vazhdueshëm me të vërtetën, unë do të padis Abelard Tahirin, ashtu sikur kam paditur të gjithë ata që i bashkërendojnë aktivitetet me Listën Serbe e eksponentët e tyre për t’ju dhënë mundësinë që t’i deklarojnë të njëjtat në Gjykatë, për çfarë duhet mbajtur përgjegjësinë ligjore”, ka shkruar Kusari-Lila.
Kryetarja e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve si dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq tha se organet e sigurisë së Kosovës kanë pasur disa mundësi që ta arrestojnë kreun e grupit serb që organizoi sulmin terrorist në veri të vendit më 24 shtator, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës.