Kritike e madhe e Rusisë, mbështetëse e vazhdueshme e Ukrainës, dhe përkrahëse e idesë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Këto janë vetëm disa prej pikave të forta për të cilat njihet kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.
Emri i 47-vjeçares po përmendet shpesh së fundmi, si mundësi për t’u emëruar si kryediplomate e Bashkimit Evropian në legjislaturën e re të bllokut evropian.
Aktualisht këtë pozitë e mban Josep Borrell.
Liderët e BE-së janë takuar më 17 qershor për të diskutuar emrat e rinj në pozitat kryesore të bllokut, por nuk kanë arritur pajtueshmëri.
Ky ka qenë takimi i tyre i parë pas zgjedhjeve të mbajtura për Parlamentin Evropian më 6-9 qershor.
Pavarësisht rritjes së konsiderueshme të partive të së djathtës ekstreme, partitë e qendrës së djathtë dhe të majtë kanë dalë të parat.
Kjo nënkupton që shefja aktuale e BE-së, Ursula von der Leyen e Partisë Popullore Evropiane – që ka fituar më së shumti vota – ka shumë mundësi të fitojë një mandat të dytë.
Përveç emrit të Kallasit për pozitën e kryediplomates së BE-së, në qarqet diplomatike po përmendet edhe emri i ish-kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa për pozitën e shefit të Këshillit Evropian.
The post Kush është Kaja Kallas, gruaja që mund të zëvendësojë Borrellin? first appeared on Radio Televizioni Iliria.