Gjykata Kushtetuese të enjten i ka shpallur të pranueshme ankesat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër Ligjit për zyrtarët publikë të miratuar në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar.
Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se Gjykata njëzëri ka konstatuar që Ligji për zyrtarët publikë nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3(Barazia para Ligjit).
Po ashtu sipas Kushtetueses, bazuar në konstatimet e saj gjykata gjithashtu vendosi që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara.
“Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi: (i) të konstatojë që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës; (ii) në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës që brenda gjashtë (6) muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarr veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e: (a) paragrafit 6 të nenit 67 (Lista e pritjes); (b) paragrafit 6 të nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) dhe nenit 6 (Nëpunësja/i civil me status të veçantë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe (iii) të përcaktojë që Aktgjykimi hyn në fuqi me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara, në rastin KO 216/22, me parashtrues: Isak Shabani dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë dhe KO 220/22, me parashtrues: Arben Gashi dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 9 (Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik), 12 (Qeveria e Republikës së Kosovës), 46 (Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues) dhe 99 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë.