RTV AHIRETI
Lajme

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi qeverinë teknike me kryeministër Talat Xhaferin

kuvendi-i-maqedonise-se-veriut-votoi-qeverine-teknike-me-kryeminister-talat-xhaferin

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro nga gjithsej 120 ulëse sa ka votuar qeverinë teknike me kryeministër Talat Xhaferi, raporton Anadolu.

Në sallën e kuvendit të pranishëm ishin 111 deputetë, prej të cilëve 65 votuan pro dhe tre kundër.

Xhaferi është kryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut nga komuniteti etnik shqiptar. Gjatë karrierës së tij politike, ai është zgjedhur deputet për herë të parë në vitin 2002, ndërsa si deputet ka shërbyer në më shumë mandate.

Xhaferi gjithashtu ka qenë edhe në poste ekzekutive, ku në vitet 2004-2006 ka shërbyer si zv/ministër i Mbrojtjes, ndërsa në vitet 2013-2014 ka shërbyer dhe si ministër i Mbrojtjes. Nga viti 2017, Xhaferi ka mbajtur postin e Kryetarit të Kuvendit.

Pas votimit të qeverisë së re, kryeministri dhe ministrat bënë betimin solemn, ndërsa më pas kryeministri Xhaferi zhvilloi një konferencë të shkurtër për media.

“Me krenari, me ndërgjegje të pastër dhe me përgjegjësi të plotë kam pranuar, kam përgatitur dhe kam fituar këtë besim të qytetarëve përmes të pranishmëve dhe përfaqësuesve të tyre në kuvend, kështu që, i mbetem koshient përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve dhe para atyre që në emër të qytetarëve kanë vulosur ardhmërinë e këtij vendi dhe fatin e qytetarëve të këtij vendi”, tha Xhaferi.

Siç ishte paralajmëruar, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të parapara të mbahen më 8 maj të këtij viti, më 25 janar Dimitar Kovaçevski dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, e më pas Talat Xhaferi dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit.

Këto zhvillime burojnë nga “Marrëveshja e Përzhinos”, e arritur në qershor 2015, për zgjidhjen e krizës së atëhershme politike në vend. Sipas marrëveshjes, qeveria e rregullt jep dorëheqje dhe 100 ditë para ditës së zgjedhjeve zgjidhet qeveria teknike.

Dispozitat e Marrëveshjes së Përzhinos janë pjesë e Ligjit për Qeverinë, ku ndër të tjera janë paraparë disa pozita ministrore dhe zv/ministrore për opozitën.

Në përbërjen e qeverisë teknike, partisë opozitare VMRO-DPMNE i takojnë posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Punës dhe Politikës Sociale.

Ministër i Brendshëm është zgjedhur Pançe Toshkovski, ndërsa Gjoko Vellkovski do të udhëheqë me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.

Gjithashtu, për ndryshim nga përbërja e fundit qeveritare, në qeverinë teknike nuk do të ketë më zv/kryeministra.

Artan Grubi, i cili ishte zv/kryeministër i parë, tani është ministër i Sistemit Politik dhe marrëdhënieve midis komuniteteve.

Ish-zv/kryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq; ish-zv/kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe ish-zv/kryeministrja për sistem politik dhe qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, tani do të jenë ministra pa portofol.

Në dhjetor 2023, liderët politikë në Maqedoninë e Veriut ranë dakord për datat e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është rënë dakord të mbahet më 24 prill 2024, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale së bashku me zgjedhjet parlamentare është rënë dakord të mbahet më 8 maj 2024.

Related posts

Pezullohet greva në arsim deri në janar të 2023-së

admin

Së shpejti kryediplomatja e BE, kush është Kaja Kallas e cila konsiderohet si “zonja e hekurt”! Synonte postin e kreut të NATO-s

admin

Bllokimi i dhjetëra kamionëve me ndihma në Gazë, shefi i OKB-së: Fyerje morale

admin